Shqipëria

Opozita në Tiranë po proteston kundër Qeverisë Rama

Pas instalacionit të kryeministrit Rama me statujën e drejtësisë dhe pas hartës së familjeve politike mafioze, protestuesit kanë vendosur përpara Kryeministrisë pako të ngjashme me ato të drogës

Protesta e sotme e opozitës në Tiranë është e mbushur me simbolika. Pas instalacionit të kryeministrit Rama me statujën e drejtësisë dhe pas hartës së familjeve politike mafioze, protestuesit kanë vendosur përpara Kryeministrisë pako të ngjashme me ato të drogës.

 

Po ashtu në sheshin “Skënderbej” është shfaqur statuja e Drejtësisë me portretin e Edi Ramës, që simbolizon kapjen politike të drejtësisë për t’i shërbyer krimit dhe korrupsionit. Disa të rinj kanë prezantuar tek Ministria e Brendshme një hartë kanabisi të familjeve politike-mafioze. Harta mban emrat e personave të akuzuar publikisht ose që janë dënuar vetë për krime të rënda.

Floida Kërpaci nga LSI-ja ka thënë se kryeministrin Rama po pengon të rinjtë të vijnë në protestë.  Ajo tha se protesta do të jetë paqësore dhe do të kërkohet largimi i Edi Ramës.

Ndërsa Lulzim Basha ka bërë thirrje që të bashkohen të gjithë kundër krimit, korrupsionit, taksave të larta, izolimit nga Perëndimi.