Kultura

Orë letrare dhe debat me shkrimtarët nga Kosova

Tendencat çintegruese në jetën shoqërore e kulturore të Kosovës, u bënë temë debati në orën letrare të LSHK-së

Aktivitetet e shënimit të 100 vjetorit të pavarësisë së shtetit shqiptar, në Zvicër kanë filluar me tri orët letrare që studiues të Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës kanë mbajtur gjatë fundjavës që shkoi, në Gjenevë, Bernë dhe Bazel. Kjo seri orësh letrare është iniciuar nga UPSH dhe Kuvendi i Shqiptarëve të Zvicrës dhe u ndihmua nga Bashkësia e Shoqatave Shqiptare në Neuchatel, Shoqatën e autorëve shqiptarë në Zvicër, dhe shoqata Pranvera ’81. Sponsorë medialë ishin platforma informative albinfo.ch dhe revista albsuisse.

Ora e tretë, përmbyllëse letrare, është mbajtur më 12 shkurt në ambientet e Konsullatës së Kosovës në Cyrih. Mbrëmjen e hapi krijuesi Muharrem Blakaj në emrin e shoqatës së autorëve shqiptarë në Zvicër, i cili prezantoi mysafirët nga Lidhja e Shkrimtarëve e Kosovës, respektivisht prof.dr. Shyqri Galica, prof.dr. Begzad Baliu dhe Dr. Arben Hoxha.

Në fjalën e hyrjes, nënkryetari i LSHK-së, Shyqri Galica foli për qëllimin e pranisë së delegacionit në Zvicër dhe për planet e Lidhjes së Shkrimtarëve për shënimin e 100 vjetorit të themelimit të shtetit shqiptar. Në kuadrin e këtyre planeve, tha Galica, është edhe vizita në vendet ku janë më shumë të përqendruar shqiptarët, sikundër është edhe Zvicra. Ai ka përkujtuar se këto veprimtari po mbahen edhe në prag të përvjetorit të katër të pavarësisë së Kosovës.

Folësi më tutje ka shprehur dëshirën që këto takime, që pritet të vazhdohen edhe në vendet tjera me mërgatë shqiptare, të shërbejnë për forcimin e lidhjeve me atdheun dhe për tu ofruar bashkatdhetarëve qasje “në botën e veçantë të krijuesve tanë letrarë”.

© albinfo.ch

Me lexim spontan poezish dhe proze nga krijimtaria e tyre, u paraqitën Fehmi Berisha, Gëzim Ajgeraj, Mehmet Bislimi e Muharrem Blakaj, si dhe mysafirët, Begzad Baliu dhe Shyqri Galica.

Por, më shumë se nga poezia, mbrëmja në vazhdim u përshkua nga debati mbi temat aktuale në botën shqiptare. Studiuesi dr. Arben Hoxha me ligjëratën e tij, në të cilën merrej me proceset çintegruese në letërsinë shqiptare, hapi rrugën e këtij debati.

Problemi i tendencave për krijimin e kombit kosovar, raportet gjuha standarde – dialekti gegë, kultura e mangët gjuhësore në mediet kosovare etj. ishin disa nga temat që u rrahën.

© albinfo.ch

Dr. Hoxha shprehu shqetësimin për atë që ai e quajti tendencë çintegruese në jetën shqiptare. Ai tha se, në kundërshtim me prirjet unifikuese që mbizotëronin gjatë kohës së Rilindjes Kombëtare, sot jemi dëshmitarë të prirjeve çintegruese. Ky paradoks, sipas tij, ka marrë përmasa shqetësuese dhe madje aktualisht çintegrimi si tendence është duke mbizotëruar në krahasim me tendencën për njësim. Fajin për këtë gjendje ai ia la klasës intelektuale shqiptare në Kosovë, e cila, sipas tij është konformiste, i mungon fuqia dhe guximi, vizioni. “Ne nuk kemi një Volter nga intelektualët e gjallë sot në Kosovë. Një i tillë, me guximin dhe vizionin e duhur ka qenë Ukshin Hoti”, ka thënë dr. Hoxha.

Ai më tutje ka goditur platformat që, sipas tij, janë ngritur edhe në akademitë tona të shkencave, për krijimin e dy historive të letërsisë shqiptare. Njëra për letërsinë e krijuar në Shqipëri dhe tjetra për atë kosovare. Sipas ligjëruesit, tashmë tendencat përçarëse në gjuhë dhe letërsi nuk janë çështje individësh por edhe preokupime institucionesh!

Njësoj, edhe në lidhje me tekstet e historisë figuron ky problem, ka thënë dr. Hoxha, duke folur për tendencat e krijimit të një historie të Kosovës ndaras nga ajo e Shqipërisë, deri edhe në veçimin e Dardanisë nga tërësia e Ilirisë, etj.

Dr. Hoxha, ashtu si dhe dy studiuesit tjerë, kanë bërë aludime të qarta se bartësit e këtyre tendencave përçarëse janë kryesisht njerëzit e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës. Ndërkohë, në mbrojtje të unifikimit, sipas tyre, është vënë Instituti Albanologjik dhe studiues e krijues brenda LSHK e gjetiu. Duke mbizotëruar një diskurs i tillë, mund të thuhet se politika e ditës nga Prishtina, nuk ishte edhe aq larg nga ky aktivitet…

Në debatin lidhur me tendencat çintegruese u përfshi edhe studiuesi prof.dr. Begzad Baliu. Sipas tij në çdo fushë të jetës shpirtërore po thellohen këto tendenca. “Mbase e vetmja fushë e kursyer nga kjo tendencë, ka mbetur etnografia”, ka thënë me ironi Baliu. Ai ka kundërshtuar pohimet e ithtarëve të krijimit të “gjuhës kosovare”, sipas të cilëve nxënësit kosovarë kane probleme në komunikim për shkakun se gjuha letrare është shumë larg nga e folmja e tyre. Sipas tij, ky problem vjen në radhë të parë si pasojë e nivelit të ulët në të cilin ndodhet arsimi sot në Kosovë dhe jo për faj të gjuhës letrare.

Në debat janë përfshirë edhe të pranishmit në sallë, përfaqësues të subjekteve, institucioneve e medieve shqiptare në Zvicër dhe aktivistë e ish aktivistë të komunitetit.

Komunikim me atdheun, përmes letërsisë

© albinfo.ch

Më datën 11 shkurt 2012, me rastin e hapjes së kremtimeve të 100 vjetorit të Pavarësisë, u zhvillua në Universtitetin Popullor Shqiptar të Gjenevës ora letrare me krijues e studiues të Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës.

Pas prezantimit të të ftuarve nga koordinatorja e UPSH-së A. Krasniqi, të pranishmit i përshëndeti në emër të Lidhjes dhe të kryetarit Demaçi, nënkryetari i saj, Prof. Dr. Shyqri Galica.

Më pas Prof.dr Begzat Baliu shtjelloi në kumtesën e tij shkencore problematikat që lidhen me gjuhën standarte shqipe dhe ndikimet e saj në sendërtimin e identitetit kombëtar.

Ndërkohë në bisedë u ndërthur edhe Dr. Arben Hoxha i cili foli me pasion dhe kompetencë shkencore mbi tendencat e reja në fushën e letërsisë. Ai përmendi edhe rolin e diasporës në këtë lëmi. Kumtesat ngjallën kureshjen dhe zgjuan debatin duke i përballur shpesh opinionet e kundërta mbi temat e shtjelluara. U vu re një numër madh të rinjsh, të gjeneratës së dyte, që kishin ardhur enkas për të ndjekur debatin dhe për të marrë pjesë aktivisht në të, me pyetje apo dëshmi interesante mbi indentitetin, përdorimin e gjuhës së huaj dhe asaj amtare, dallimin midis brezave. Shpesh debati merrte përmasa sociale e filozofike duke i tejkaluar kështu kornizat letrare të parashikuara. Kjo përbëri një pasurim të mendimit dhe të argumentimit qoftë nga ana e të ftuarve edhe nga ana e të pranishmëve

Në mes të publikut (rreth 50 vetë) kishte përfaqësues të Shoqërisë civile shqiptare ( Gëzuar-Ge, Rrethi shqiptaro-meirinas, Lapsh, Shoqatat shqiptare në Neuchatel, deputetë të parlamentit të të rinjve të këtij kantoni, aktivistë të brezave të parë të mërgatës, etj).

Në tubim morën pjesë edhe Ambasadori i Kosovës në Bernë Z, Naim Malaj si dhe Zv- ministri i ekonomisë Z. Ramadan Avdiu.

Ky aktivitet vuri edhe një herë në pah se sa nevojë ka mërgata për t’u shprehur dhe për t’u dëgjuar, për të komunikuar me vendlindjen edhe në fushën e letërsisë, përkundër tendencave për ta quajtur atë të prapambetur e të painteres për çështje shkencore e letrare të mirfillta. Një nga meritat e këtij takimi ishte vënia rreth tavolinës e brezave, krahinave, gjinive, ideve të ndryshme dhe ballafaqimi i qëndrimeve dhe ideve në mënyrë shumë të kulturuar e të kthjellët. Por nuk duhet harruar se mbledhje të këtij lloji mundësojnë takimin edhe midis njerëzve që kanë kaluar përmes zhvillimeve të ndryshme kulturore, mendësore, komporamentaliste e identitare siç janë pjestarët e diasporës ( prej vitesh midis dy kulturash dhe midis dy identitetesh) dhe atyre që vijnë nga Kosova. Përballja e këtyre dy rrymave duket të jetë e domosdoshme për mundësimin e bashkëjetesës së harminishme dhe njohjes reciproke midis të gjitha pjesëve të shoqërisë shqiptare e cila konsolidohet duke dhënë e marrë nga njëri tjetri.

Aktiviteti u inicua nga UPSH dhe Kuvendi i Shqiptarëve të Zvicrës u dhe realizimi i tij i gjerë (ne tre kantone) u mundësua në sajë të bashkëpunimit të shkëlqyeshëm me Bashkësinë e Shoqatave Shqiptare në Neuchatel, Shoqatën së autorëve shqiptarë në Zvicër, dhe shoqatën Pranvera ’81.

Ky aktivitet aktivitet u mbështet fuqishëm nga Ambasada e Republikës së Kosovës në Bernë.

Foto galeri: Orë letrare dhe debat me shkrimtarët nga Kosova