Zhvillim

Organizata italiane ndihmon me 38 mijë euro shkollën në Gjilan

Organizata italiane “Trentina in aiuto per i Balcani” ka dhuruar një donacionin në vlerë prej mbi 38 mijë euro për shkollën “Thimi Mitko” në Gjilan

Shkolla “Thimi Mitko” në Gjilan ka pranuar donacionin në vlerë prej mbi 38 mijë euro nga organizata italiane “Trentina in aiuto per i Balcani”, e që një rol të rëndësishëm kanë luajtur edhe bashkatdhetarët tanë atje, thuhet në njoftimin e Komunës së Gjilanit, përcjell albinfo.ch.

 

Ky është kontingjenti i parë me inventar për kushte më të mira për nxënësit e kësaj shkolle, ndërsa gjatë të ardhmes do të ketë edhe kontingjente të tjera që do të vijnë për këtë shkollë, sipas planifikimit të organizatës dhe gjithnjë në bazë të kërkesës së shkollës.

 

Nazim Berisha, përfaqësues i organizatës italiane, ka thënë se për më shumë se 8 vjet janë duke kontribuar në arsimin dhe shëndetësinë kosovare, me qëllim të përmirësimit të kushteve në shkolla dhe spitale, sepse, siç ka thënë ai, janë dy shtyllat kryesore të një shoqërie të fuqishme.

 

Berisha, po ashtu, ka bërë të ditur se ndjehet jashtëzakonisht mirë kur sheh që donacioni është mese i nevojshëm për këtë shkollë dhe gjithnjë do të angazhohet për t’i mbështetur shkollat dhe spitalet edhe në të ardhmen.