Integrimi

Organizimi më i mirë i komunitetit, preventivë kundër diskriminimit

  • Drita Ibrahimi-Shabani

  • Migjen Kajtazi

  • Tarek Naguib

  • Përparim Avdili

 

Shoqata “PARANDALO” kishte organizuar debatin e radhës të shtunën mbrëma me temën “Paragjykimet dhe racizmi”, në të cilën ka referuar Tarek Naguib, sociolog ligjor, ekspert i mbrojtjes ndaj diskriminimit dhe „Menaxhimi i diversitetit”, si dhe Migjen Kajtazi, i angazhuar për projekte dhe përgjegjës regjional (la Côte dhe komunat perëndimore të Lozanës), pranë Zyrës kantonale të Vaud-it për integrimin e të huajve dhe parandalimin e racizmit (BCI).

Pjesëmarrësit janë njoftuar me shumë hollësi për mekanizmat ligjorë që janë në zbatim në Zvicër për mbrojtjen nga diskriminimi dhe racizmi.

Të pranishmit i kanë përshëndetur kryetari i shoqatës, Xhemal Selimi   dhe Drita Ibrahimi-Shabani, e cila ka moderuar këtë debat dhe ka prezantuar aktivitetin e deritashëm të shoqatës „Parandalo”.

Migjen Kajtazi ka folur në fillim për rolin e Zyrës kantonale të Vaud-it për integrimin e të huajve dhe parandalimin e racizmit (BCI) në motivimin e shoqatave të tjera për të luftuar diskriminim ndaj të huajve dhe në trajtimin e rasteve individuale.

Kajtazi ka shpalosur përvojën e tij në Zyrën kantonale për integrimin e të huajve dhe parandalimin e racizmit në Vaud.

Rastet të cilat më së shumti trajtohen në Zyrën kantonale të Vaudit për integrimin e të huajve dhe parandalimin e racizmit janë ato të fushave sociale e shoqërore, do të thotë diskriminimi në punë dhe në banim, etj.

„Sa i përket rasteve që paraqiten nga shqiptarët si komunitet janë më të rralla, por jo që nuk janë të diskriminuar, por nga mosinformimi”, tha Kajtazi.

Diskriminimi i mërgatës nga vendet e prejardhjes

Ndërsa sa i përket paragjykimeve, për Migjen Kajtazin nuk është e rastësishme se me këtë fenomen ballafaqohen edhe gjatë pushimeve të mërgatës në vendlindje.

Ai ka përmendur një shembull, ku thuhet se është rritur numri i aksidenteve me ardhjen e mërgimtarëve për pushime në Kosovë.

Edhe paragjykimet që ndodhin në Zvicër nuk janë të rastësishme.

„Fakti që janë iniciuar haptas iniciativa të ndryshme ndaj të huajve që bazohen vetëm nga frika që do të na pushtojnë, do të na marrin punën, janë delikuentë, kriminelë, janë dëshmi më të mira të paragjykimeve”, thotë Kajtazi.

Pastaj ai ka folur edhe për paragjykimet që janë bërë në adresë të komunitetit shqiptar, duke i akzuar kolektivisht për vepra të ndryshme kriminale.

Ai i ka cilësuar si sulme të orkestruara në media.
„Këto paragjykime ndikojnë në krijimin e një opinioni të rrejshëm dhe të përgjithshëm në kurriz të shqiptarëve”, thotë Kajtazi që në aspektin historik e njëjta, sipas tij, kishte ndodhur edhe me komunitetet e tjera në Zvicër.

Si rezultat i diskriminimit dhe paragjykimeve viktimë janë edhe të rinjtë.
Kajtazi ka marrë një shembull në Llozanë, kur nga mbi 900 nxënës, vetëm një pjesë e vogël e tyre janë regjistruar në gjimnaz.

Nga paragjykimet dhe diskriminimet direkte dhe indirekte, Migjen Kajtazi ka përmendur edhe faktin që 24 për qind e nxënësve pas shkollimit kanë vështirësi të arrijnë të paktën të caktojnë një termin për punë apo për zanat.

„Sa i përket punës, varfëria është 3 herë më e lartë te të huajt se te vendësit, që është shumë shqetësuese”, thotë Kajatazi, duke u bazuar në një studim në nivel vendi që është bërë për tregun e punës nëse kanë një emër shqiptar apo turk.

Kajtazi ka përmendur edhe një rast tjetër të diskriminimit që bëhet ndaj të huajve dhe shqiptarëve, sidomos me sigurimin e automjeteve. „44 për qind më shumë paguajnë shqiptarët dhe të huajt e tjerë sigurim për automjetet sesa vendësit”, tha Kajtazi.

Ai ka sugjeruar shqiptarët e mbledhur në këtë debat në Cyrih që të jenë më aktivë dhe të përfshihen më shumë në jetën lokale, duke qenë pjesë e organizimeve politike, ekonomike, sociale dhe kulturore në vend.

„Rezultatet do të jenë më të drejtpërdrejta në zvogëlimin e paragjykimeve dhe diskriminimit nëse më shumë do të ishte i organizuar komuniteti nëpër shoqata, si „Parandalo” dhe të tjera. Kjo do të ndikojë në njohjen më shumë të komunitetit tonë te zviceranët”, tha Kajtazi. Ai po ashtu ka kërkuar të jenë aktivë në media, në shkollë dhe në punë, ku më së shpeshti diskriminimi paraqitet si fenomen.

Paragjykime ndaj ballkanasve?

Tarek Naguib është një zviceran me origjinë nga Egjipti, babai i të cilit kishte migruar viteve 60 në Zvicër. Ai ishte rritur në Zvicër. Prej dhjetë vjetësh jeton në Bernë dhe ka punuar 6 vjetët e fundit në Entin Federal kundër Racizmit. Kjo temë e ka prekur çdo herë Tarke Naguib. Ai ka përmendur disa shembuj që shrehin paragjykimet ndaj popujve të Ballkanit.

Por ai ka njoftuar edhe të pranishmit për mundësitë pë të luftuar me diskriminimin dhe racizmin në Zvicër. Eksperti zviceran ka shpalosur një shembull konkret të një shqiptari që nuk ishte lejuar të hyjë me një diskotekë vetëm se ishte i huaj. Personi në fjalë kishte xhiruar mbishkrimin në hyrje, ku thoshte se njerëzit nga Ballkani nuk janë të mirëseardhur. Nagupit i kishte bërë përshtypje rasti në fjalë, ngase shqiptari kishte luftuar 5 vjet me radhë kundër këtij fenomeni të racizmit, por që nuk ishte trajtuar drejt nga autoritetet e drejtësisë. Prokurori për t’u ikur normave juridike që mbrojnë qytetarët nga racizmi, kishte thënë se shqiptarët nuk janë racë e as etni.

Naugip me këtë ka dashur të tregojë se si qytetarët mund të konfrontohen kur është në pyetje racizmi. Po ashtu si raste të tjera të racizmit të drejtpërdrejtë ka përmendur edhe sigurimet e veturave, ku kompanitë e caktuara të sigurimeve kanë thënë se për pronarët e veturave nga Ballkani duhet të paguajnë më shumë për polisat e sigurimit, ngase janë në të shumtën e rasteve shkaktarë të aksidenteve, që është edhe një diskriminim i qartë. Pastaj ai ka folur për dallimet që bëhen gjatë kalimit të nxënësve nga shkollimi primar në atë sekundar, kur bëhet vlerësim jo i drejtë për nxënësit me origjinë të huaj.

Diskriminimi për ekspertin zviceran ka lidhje me ekonominë. „Njerëzit e kualifikuar në vitet e 70-ta ishin të mirëseardhur, tani kur filluan vështirësitë ekonomike në vendet e origjinës në ish-Jugosllavi kishte ndryshuar edhe pikëpamja ndaj tyre”, tha Naguip, i cili ka njoftua të pranishmit për institucionet që janë në shërbim të atyre që janë të prekur nga diskriminimi dhe racizmi. Zëri do të jetë më i fuqishëm nëse veproni në kuadër të shoqatave dhe organizatave të tjera.

Në fund është konkluduar se bëhet fjalë për raste të caktuara dhe se përkundrazi, shoqëria zvicerane është tolerante me vetë faktin që shumica prej komunave janë me mbi 50 për qind të populluara me të huaj. Po ashtu janë përmenduar projekte dhe nisma të Qeverisë së Zvicrës kundër diskriminimit dhe racizmit.

Gjatë ligjëratës Përparim Avdili ka bërë një prezantim të shkurtë të aspiratave të tij politike nëse zgjidhet deputet kantonal në Cyrih.

Shoqata “Parandalo” ka paralajmëruar edhe debate të tjera në të ardhmen në funksion të informimit sa më të mirë të komunitetit me problematikat e ndryshme në Zvicër.