Kosova

Pa kuorum, shtyhet seanca e Kuvendit të Kosovës

Ndërsa Avdullah Hoti i LDK-së ka thënë se kryeministrin Haradinaj nuk po e pyet më askush, e aq më pak ministrat e tij.  Ai e ka cilësuar atë si një kryeministër të dobët e qyqar. Për këtë reagoi Haradinaj. "Ky qyqani para juve po ju vjen në interpelanca. Mund të them se jam kryeministri i vetëm që i respekton këto kërkesa për raportim”, tha ai.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës edhe një herë kanë treguar se nuk janë të përgjegjshëm për detyrat që kanë.

E kjo shfaqet sa herë që ka seancë në prag të ndonjë feste. Pas përfundimit të diskutimeve lidhur me vendimin e ministrit Rikalo për ndarjen e subvencioneve për pjesën veriore të Mitrovicës, rekomandimet e LDK-së nuk arritën që të votohen në mungesë të kuorumit, përcjell albinfo.ch.

Për këtë shefat e grupeve parlamentare kërkuan që seanca të shtyhet për të martën në ora 10 pasi që thanë se shumica e deputetëve janë larguar dhe vështirë që mund të kthehen.

Në interpelancë deputetët janë shprehur të pakënaqur me trajtimin e sektorit të bujqësisë nga Qeveria e Kosovës. Lidhur me vendimin e Nenad Rikalos për subvencione në pjesën e veriut, Elmi Reçica, në emër të GP të PDK-së, tha se puna e ministrit Rikado duhet të jetë transparente.

E Liburn Aliu, në emër të GP të LVV-së, tha se kanë qenë të bindur se ministri Rikalo do të aplikonte politika në favor të Serbisë.

Sali Salihu, në emër të GP të PSD-së, tha se sektori i bujqësisë nuk po trajtohet seriozisht nga qeveria. Ndërsa Avdullah Hoti i LDK-së ka thënë se kryeministrin Haradinaj nuk po e pyet më askush, e aq më pak ministrat e tij.  Ai e ka cilësuar atë si një kryeministër të dobët e qyqar. Për këtë reagoi Haradinaj. “Ky qyqani para juve po ju vjen në interpelanca. Mund të them se jam kryeministri i vetëm që i respekton këto kërkesa për raportim”, tha ai.