Jeta në Zvicër

Padi penale ndaj kritikueses së islamit në Zvicër

Kritikuesja më e njohur e islamit në Zvicër, Saida Keller-Messahli tani ka një vepër penale në ndërgjegje. Dyshohet se ajo ka krijuar shpifje ndaj predikuesit të urrejtjes nga Bieli, Abu Ramadan

Ajo është kritikuesja më e njohur e islamit në Zvicër: Saida Keller-Messahli. Me vite të tëra është duke paralajmëruar për radikalistët myslimanë, duke shkruar pandërprerë kundër fanatikëve religjiozë.

Si duket, kritikuesja me prejardhje nga Tunizia i ka tejkaluar kufijtë. Prokuroria e Bernës ka filluar me padinë penale ndaj saj. Arsyeja: Saida Keller-Messahli dyshohet se ka krijuar shpifje ndaj predikuesit të urrejtjes Abu Ramadan, pasi në xhaminë e Bielit Al-Rahman, ky i fundit kishte nxitur urrejtje për ata që mendojnë ndryshe.

Christof Scheurer, zëdhënësi i Prokurorisë ka konfirmuar: “E kemi hapur një padi penale ndaj Zonjës Keller-Messahli nën dyshimin se ka krijuar shpifje”, shkruan “Blick”, përcjell Albinfo.ch.

Shkak i hetimeve ka qenë një artikull i publikuar në “Bieler Tagblatt”, në të cilin kritikuesja e Islamit, në shtator të vitit të kaluar kishte ngritur akuza të rënda ndaj imamit libanez. Ajo kishte shkruar: “Më 11 dhe 18 nëntor të vitit 2017, ai ka predikuar në xhaminë Al Karafi në Tripolis, duke e lutur Zotin për të mbrojtur anëtarët e pranishëm të Al-Kaida dhe Shtetit Islamik”. Si dëshmi, gazeta në fjalë kishte publikuar një video ku ai po predikonte.

Por, paraqitjet e Keller-Messahli ishin të dyshmita. Disa ditë më vonë, predikuesi ka bërë një kundërreagim, me ç`rast ai mbrohej nga akuzat: “Ky pohim është i rremë. Siç dëshmojnë incizimet e predikimit, unë nuk kam bërë deklarata të tilla”.

Në të vërtetë, Abu Ramadan në predikimet e tij nuk përmend as Al-Kaida e as SHI. Si duket, kritikuesja e ka tepruar me akuzat e saj dhe nuk ka dashur të prononcohet lidhur me rastin.

Nga ana tjetër, ndaj Abu Ramadanit ishte hapur një padi penale për diskriminim racor.