Sport

Paditet Xhaka: Ka përdorur petarda duke festuar titullin!

Granit Xhaka nuk do ta harrojë lehtë fitoren e titullit të kampionit me FC Baselin. Jo vetëm për gëzimin që i ka sjellë kjo fitore por edhe për padinë të cilën e ka “fituar” për mjetet piroteknike që ka përdorur nën euforinë e fitores, duke festuar bashkë me bashkëlojtarët dhe tifozët në Barfüsserplatz të Bazelit natën e titullit të kampionit.

Krahas Xhakës një sihariq të tillë e ka marrë edhe bashkëlojtari i tij në FC Basel, Dragovic, shkruan “Limmattaler Zeitung”.  

Këta dy, gjatë natës festive ishin solidarizuar me fansat të cilët e kishin shndërruar sheshin gjithë flakë nga mjetet piroteknike, duke marrë edhe vetë në dorë mjete të tilla. Dhe, për pasojë, atyre u ka ardhur një padia.

Klaus Mannhart, zëdhënës i departamentit për drejtësi dhe siguri të Bazelit, për shkak se ia ndalon ligji, nuk ka përmendur emra të akuzuarish por ai ka vërtetuar se paditë ekzistojnë. “Ligji është ligj. Ne jemi të detyruar ta zbatojmë atë”, ka thënë zëdhënësi. Gjoba me të cilën do të dënohen dy lojtarët, sipas tij duhet të jetë rreth disa qindra franga.