Lajme

Pagat minimale, më të ultat në rajon

Paga minimale në Kosovë vazhdon të mbetet më e ulëta në rajon. Sindikatat do të kërkojnë ndryshimin e mënjëhershëm të kësaj page

Që nga viti 2011, në Kosovë ka mbetur e palëkundur paga minimale për punëtorët vendorë, që mbetet më e ulta në rajon. Prandaj sindikalistët thonë se në takimin e radhës të Këshillit Ekonomik Social do të kërkojnë korrigjimin e lartësisë dhe heqjen e kategorizimit të kësaj pagë. Sipas tyre, kjo pagë diskriminon të punësuarit në bazë të moshës.

Sipas katëgorizimit të pagës minimale që ka miratuar Qeveria e Kosovës, për punëtorët nën moshën 35 vjec është 130 euro, kurse ata mbi 35 vjeç – 170 euro.

“Ne si BSPK asnjëherë nuk e kemi pranuar kategorizimin e pagës minimale, mirëpo qeveria ka nxjerrë një udhëzim administrativ për implementimin e pagës minimale në Kosovë dhe ajo është në afat trevjeçar”, thotë Alush Sejdiu, nënkrzetar i Bashkimit të Sindikatave të Kosovës.

Sejdiu thekson se për këtë çështje do të diskutojnë në takimin e radhës të Këshillit Ekonomik Social, ku sindikalistët do të kërkojnë korrigjimin e pagës minimale.

“Sigurisht do ta kemi mbështetjen edhe të bizneseve që Këshilli Ekonomik Social të dalë me propozim tjetër për lartësinë e pagës minimale, duke pasur parasysh standardin dhe kushtet ekonomike, prandaj do të insistojmë që kjo të ndryshohet”, thotë Sejdiu, raporton RTK.

Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini thotë se brenda këtij viti duhet të debatohet rreth kësaj çështjeje dhe të shikohen mundësitë nëse rritja e pagës minimale ngarkon sektorin privat dhe rritë informalitetin.

“Në kategori nuk guxon të ndahet pasi e humb efektin e vet. Ne atëherë patëm menduar se kjo do të inkurajojë kategoritë e moshave e që më vonë është parë se nuk është në rregull. Mbetet përfaqësuesit e punëdhënësve dhe punëtorëve të debatojnë përsëri”, thotë ai.

Këshillin ekonomik social tani e udhëheq ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, i cili nuk u prononcua për këtë çështje.

Ndryshe, pagat minimale janë të ngjashme gati edhe në vendet tjera në rajon. Derisa në Bullgari, që është vend në BE, paga minimale është 180 euro, në Shqipëri kjo pagë është 22 mijë lek, ose 156 euro.