Sport

Panucci: Kam ndjesinë që Ajeti po e pret Zvicrën

Trajneri i Shqipërisë, Christian Panucci pas përfundimit të eliminatoreve për Botëror, po shikon futbollistë për të ardhmen, shkruan albinfo.ch.

“Tani do të udhëtoj për të provuar të gjej ndonjë lojtar të ri, sepse diçka duhet detyrimisht ta ndryshojmë. Cikalleshi, Kukeli, Kaçe apo Xhaka u sollën shumë mirë në grumbullim, si profesionistë të vërtetë. Pavarësisht faktit që Taulanti nuk u grumbullua në fillim dhe asaj që ndodhi, ai ishte korrekt dhe këta janë lojtarë të rëndësishëm”, deklaroi Panucci.

Ai pritet të grumbullojë futbollistë edhe nga kampionati shqiptar. “Do të vëzhgoj dy-tre lojtarë që më pas do t’i testojmë në ndeshjet miqësore për të vlerësuar nivelin e tyre. Po e ndjek (Sabian Lilajn) do të udhëtoj në nëntor për ndeshjen me Young Boys. Dikush tjetër do ta vëzhgojë në kampionat. Kemi një vit kohë për të ndjekur të gjithë lojtarët dhe për t’u përgatitur. Janë 4-5 lojtarë edhe nëpër Evropë, madje edhe në liga të dyta”, u shpreh ai.

Panucci foli edhe për sulmuesin shqiptar, Albian Ajeti. “Albian Ajeti më jep ndjesinë që po pret Zvicrën. Gjithsesi unë do shkoj ta takoj për të kuptuar çfarë dëshiron. Do të vëzhgojë edhe Manajn te Granada. Kam dëgjuar që është i vështirë, por kështu më thanë edhe për Xhakën. Megjithatë, kur e takova Taulantin ballë për ballë, ai më krijoi bindjen se nuk më tradhton dhe është i gatshëm të vdesë në fushë. Edhe Manajn duhet ta njoh personalisht për të vendosur”, nënvizoi Panucci.