Uncategorized

Parregullsitë e para

Zgjedhjet Lokale në Kosovë po kalojnë qetë, edhe pse janë regjistruar disa parregullsi, shkruan albinfo.ch.

Koalicioni i OJQ-ve “Demokracia në Veprim”, ka paraqitur disa parregullsi që kanë ndodhur në hapje të qendrave të votimit. Shpend Emini, përfaqësues nga koalicioni Demokracia në Veprim (DnV) ka thënë se sipas të dhënave të para 131 vendvotime janë hapur me vonesë.

“Në 9 deri në 10 vendvotime ku ose janë ngatërruar vulat ose kanë munguar”, tha ai, duke shtuar se do të përcjellet procesi i votimit dhe do të jenë në kontakt më KQZ-në lidhur me këto probleme, raporton “RTV 21”.

Ndërkohë, dy komisionerë të një vendvotimi në komunën e Kllokotit janë ndaluar nga policia pasi kanë prishur rendin në vendvotim. “KALLXO.com” mëson se në këtë qendër gjatë incidentit është rrëzuar edhe kutia e votimit. Lajmi është konfirmuar nga kryeprokurori i Gjilanit, Jetish Maloku.

Kryetarja e Komisionit Qendror Zgjedhor, Valdete Daka, ka thënë se në vendvotimin në shkollën “Bislim Hajdari” në Mitrovicë, ka munguar lista përfundimtare e votuesve.

Në shkollën “11 Marsi”, përkatësisht në qendrën më të madhe të votimit në Prizren, kanë ndodhur dy raste të fotografimit të votës, njofton “Klan Kosova”.

“Në qendrën tonë të votimit përgjithësisht gjendja është duke vijuar në rregull”, tha Enver Bytyçi, menaxher në qendrën më të madhe të votimit në Prizren.

DnV-ja raporton për përleshje fizike në Graçanicë

Koalicioni i OJQ-ve Demokracia në Veprim njofton se në shkollën “Kralj Milutin” në Komunën e Graçanicës, gjatë procesit të votimit ka ndodhur një përleshje fizike në mes të disa votuesve, për çka ka ndërhyrë policia duke i shoqëruar në stacion policor votuesit.

Ky incident nuk ka ndikuar në pengimin e procesit të votimit dhe mund të cilësohet si incident i izoluar thuhet në njoftim transmeton albinfo.ch. “Nga radhët e Listës Serbe është arrestuar nga policia për shkak se para qendrës së votimit “Sveti Sava” në Kllokot ka tentuar të ndikoj tek votuesit duke i orientuar se kë ta votojnë.

Po ashtu në këtë qendër të votimit, policia ka arrestuar edhe një komisioner nga radhët e Gradanska Iniciativa për shkak se qëllimshëm ka dëmtuar kutinë e votimit duke e goditur atë”, theksohet në njoftimin e DnV-së.