Maqedonia

Partia “Levica” ngre akuzë ndaj Zaevit për emrin

Rasti kundër Zaev, sipas kësaj partie, do të zgjerohet edhe kundër shefit të diplomacisë, Nikola Dimitrov, për veprën penale bashkëngjitje dhe organizim

Partia e vogël jashtëparlamentare Levica ka ngritur akuzë penale kundër kryeministrit të Maqedonisë, Zoran Zaev, për shkak të bisedimeve me Greqinë rreth emrit të ri. Mediat në Maqedoni kanë bërë të ditur se akuza është ngritur, pasi Zaev pranoi ndryshimin e emrit në Maqedoninë e Ilindenit.

Rasti kundër Zaev, sipas kësaj partie, do të zgjerohet edhe kundër shefit të diplomacisë, Nikola Dimitrov, për veprën penale bashkëngjitje dhe organizim, pasi angazhohet për zgjidhjen që Maqedonia të ndryshojë emrin kushtetues. Ndërsa kryeministri Zaev është liruar nga akuza në rastin “Ryshfeti”.

Sipas gjykatësit Darko Todorovski, Prokuroria nuk ka arritur të dëshmojë se kryebashkiaku i asaj kohe në Strumicë, tash kryeministër, Zoran Zaev, ka kryer vepër penale. Gjykatësi arsyetoi vendimin, duke thënë se dëshmitari nuk ishte i bindshëm me deklaratat e tij, pasi se sa herë ka dhënë deklaratë në Prokurori, i ka dhënë ato dëshmi në mënyra të ndryshme nga njëra-tjetra.