Uncategorized

Partitë shqiptare në balotazh

Në 12 komuna tjera të banuara kryesisht me popullatë shqiptare si në Tetovë, Gostivar, Strugë, Çair si dhe komuna tjera do të ketë balotazh me kandidatëve të BDI-së si dhe lëvizjes Besa dhe Aleancës për Shqiptarët

Sipas rezultateve të para, LSDM-ja e kryeministrit, Zoran Zaev, është fituese e zgjedhjeve lokale të së dielës.

Kjo parti ka njoftuar fitoren në 40 nga gjithsej 80 komuna të Maqedonisë, ndërsa thuajse në të gjitha të tjerat do të shkojë në balotazh në rrethin e dytë zgjedhor.

LSDM-ja, bazuar në të dhënat e përpunuara ka fituara komunat më të mëdha të vendit, thuajse shumicën e dhjetë komunave të Shkupit, si dhe të qyteteve tjera në Manastir, Prilep, Ohër, Strumicë, Shtip e të tjera.

LSDM-ja ka fituar edhe në komunën e Haraçinës ta banuar tërësisht me popullatë shqiptare.

Te partitë shqiptare, zgjedhjet kanë përfunduar vetëm në dy komuna, në Kërçovë ku ka fituar kandidati i BDI-së, Fatmir Dehari, por i mbështetur edhe nga partitë e tjera shqiptare, si dhe në një komunë tjetër më të vogël rurale, në Pllasnicë, raporton “Evropa e Lirë”.

Në 12 komuna tjera të banuara kryesisht me popullatë shqiptare si në Tetovë, Gostivar, Strugë, Çair si dhe komuna tjera do të ketë balotazh me kandidatëve të BDI-së si dhe lëvizjes Besa dhe Aleancës për Shqiptarët, përcjell albinfo.ch.

Lëvizja Besa, ndërkohë, në vlerësimin e parë për zgjedhjet ka folur për parregullsi të shumta gjatë procesit zgjedhor, të cilat ka njoftuar se i ka deponuar në organet përgjegjëse për procedim të mëtejmë.

Nga Aleanca për Shqiptarët, gjithashtu, kanë thënë se rezultati i tyre është dyfishuar, ndërsa kanë shpallur fitoren e kandidatëve të saj në Strugë dhe Gostivar, të cilët në rrethin e dytë kalojnë në avantazh kundrejt kandidatëve të BDI-së dhe LSDM-së.

Dalja në votimet e së dielës ka qenë pak më shumë se 50 për qind, te zonat e banuara me shqiptarë, dalja ka qenë me e ulët, madje në disa zona edhe deri në 40 për qind.