Kosova

Pas disa vitesh Kosova mund të ballafaqohet me mungesë mjekësh

Kryetarja e Komisionit për Shëndetësi, Besa Baftiu, ka thënë se anëtarët e këtij Komisioni kanë diskutuar me ministrin e Shëndetësisë Uran Ismailin në lidhje me largimin e personelit shëndetësor nga Kosova.

Në një prononcim për Zëri ajo ka thënë se me ministrin Ismaili kanë diskutuar edhe rreth kërkesave për infermierë shtesë nëpër spitale.

“Në mandatin e kaluar kemi pasur kërkesa prej QKUK-së për infermierë shtesë”, është shprehur Baftiu, përcjell albinfo.ch.

“Në këtë vit është ndarë një shumë e mjeteve pikërisht për infermierë dhe për mjekë specialistë”, ka shtuar tutje Besa Baftiu.

“Nuk e di se sa janë punësuar, nuk e kemi diskutuar në takimin e fundit me ministrin. E kemi diskutuar në përgjithësi ikjen e personelit shëndetësor, qoftë të infermierëve, të mjekëve dhe të gjithëve”, ka thnë ajo.

Sipas Baftiut pas disa viteve Kosova do të ballafaqohet me mungesë të mjekëve.

Në vitet e fundit shumë mjekë kanë ikur nga Kosova drejt Gjermanisë, duke kërkuar kushte më të mira.