Bota

Pas shtatë vitesh, arrestohet maqedonasi që kreu plaçkitje në Austri

Më tej, ai akuzohet se ka kryer edhe plaçkitje në Vjenë, Oberösterreich dhe në Gjermani. Maqedonasi 42-vjeçar aktualisht gjendet në paraburgim në Salzburg

Shtatë vite pasi ka kryer një plaçkitje ndaj një austriaku 45-vjeçar në Schwarzach (Pongau), policia austriake ka zbuluar një të dyshuar. Nga mesi i muajit mars i këtij viti, gjurmët e ADN-së kanë zbuluar një shtetas maqedonas. Në muajin shkurt të këtij viti, ai kishte hyrë në Austri, ku është kontrolluar dhe arrestuar.

Sipas zëdhënëses së policisë, përmes gjurmëve të ADN-së është mundësuar që të zbulohet plaçkitja e kryer në Linz, në vitin 2016, të cilën dyshohet se e ka kryer shtetasi nga Maqedonia. Një hetim i mëtutjeshëm ka dëshmuar se ai është përgjegjës edhe për një plaçkitje në Salzburg.

Më tej, ai akuzohet se ka kryer edhe plaçkitje në Vjenë, Oberösterreich dhe në Gjermani. Maqedonasi 42-vjeçar aktualisht gjendet në paraburgim në Salzburg.

Gjatë plaçkitjes në Pongau, austriaku ka qenë duke dalë nga banesa rreth orës 05:00, më 15 mars 2011. Sulmuesi e ka goditur me grusht dhe shqelma, duke i shkaktuar lëndime trupore, ndërsa më pas e ka spërkatur edhe me gaz lotsjellës, shkruan “OE24”, përcjell Albinfo.ch.

Nga xhepi i viktimës ai arriti të marrë një portofol me 140 euro, kartela bankare, patentën e shoferit dhe një e-card. Austriaku pësoi lëndime të rënda dhe është dashur të transportohet në spital. Kërkimi i sulmuesit ishte realizuar pa sukses, por në vendngjarje i janë marrë gjurmët.