Lajme

Pelegrinët serbë priten me protesta në Mushtisht

Më shumë se 20 qytetarë janë arrestuar nga Policia, ndërsa raportohet edhe për disa policë të lënduar gjatë protestës së banorëve të Mushtishtit kundër ardhjes së pelegrinëve dhe fqinjëve të tyre serbë në këtë fshat

Qindra qytetarë të fshatit Mushtisht të komunës së Suharekës nuk i kanë lejuar disa pelegrinë serbë që të bëjnë homazhe në Kishën e tyre dhe t’i vizitojnë pronat në këtë fshat. Qytetarët ishin barrikaduar në rrugë, ndërsa janë përleshur edhe me Policinë e Kosovës e cila ka përdorur edhe gazin lotsjellës.

Më shumë se 20 qytetarë janë arrestuar nga Policia, ndërsa raportohet edhe për disa policë të lënduar.

Menjëherë pasi rruga është bllokuar në Mushtisht ka shkuar Policia e Kosovës, e cila ka përdorur gazin lotsjellës për ta zhbllokuar rrugën.  Autoritete e rendit kanë arritur që të lirojnë rrugën e bllokuar, mirëpo pjesëtarët e komunitetit serb, të cilët kanë pritur disa orë në tre autobusë, janë kthyer dhe nuk kanë hyrë në fshat.

Komandanti i Policisë Rajonale në Prizren, Nexhmi Krasniqi, për Radion Evropa e Lirë, ka treguar se protesta ka përfunduar, kurse katër pjesëtarë të policisë kanë mbetur të lënduar, si dhe disa qytetarë.

“Qytetarë ka të lënduar, por jo (të lënduar) nga Policia, por nga hedhja e pakontrolluar e gurëve nga protestuesit, sepse Policia e ka përfunduar punën në mënyrë profesionale. Policia e Kosovës ka hapur rrugën, por ata (serbët) në mënyrë vullnetare janë kthyer”, ka thënë Krasniqi.

Por, menjëherë kanë plasur reagime në Beograd e Prishtinë.

Qeveria e Kosovës shpreh keqardhje për incidentet e dhunshme që kanë ndodhur të dielën në Mushtisht.

“Qeveria e Kosovës respekton plotësisht të drejtën e çdo qytetari për protestë paqësore, për çfarëdolloj arsye, e ritheksojmë paqësore, si e drejtë themelore dhe e patjetërsueshme e shprehjes së mendimit dhe kërkesave publike. Po ashtu, Qeveria e Kosovës konsideron se kërkesat e qytetarëve për zbardhjen e plotë të të gjitha krimeve të luftës dhe dënimin e të gjithë kryesve të tyre, është plotësisht legjitime”, thuhet në komunikatë.

Zhvillimet e sotme në fshatin Mushtisht nuk i duhen Kosovës, ka thënë kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.

Në një deklaratë të kryetarit, thuhet se këto zhvillime “ vetëm sa krijojnë mundësinë që të keqpërdoren prej atyre që duan ta pengojnë konsolidimin e shtetit të Kosovës dhe të krijojnë imazh negativ në botë për vendin tonë”.

“Plagët e luftës të Mushtishtit, ashtu si të gjithë Kosovës, janë plagë të rënda që kërkojnë drejtësi, por përgjegjësia gjithmonë është individuale e institucionale, e jo kolektive”, ka thënë Veseli, duke shtuar se “e drejta e praktimit të besimit fetar, liria e lëvizjes, e drejta e kthimit në pronën legjitime, për secilin qytetar, pa dallim përkatësie, janë të drejta themelore në Republikën e Kosovës”.

Në Serbi kjo ngjarje u quajt ekstremizëm dhe urrejtje e hapur ndaj serbëve.

Drejtori i zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq ka thënë se situata e sigurisë në Kosovë është shumë e brishtë dhe për këtë arsye edhe u shfaq gjithë ajo urrejtje ndaj serbëve.

“Shpërthimi i ekstremizmit dhe urrejtjes së madhe ndaj serbëve në Mushtisht dëshmon edhe njëherë sa e brishtë është siguria në Kosovë”, ka thënë Gjuriq. Ai ka shtuar madje se janë politikanët shqiptarë të cilët promovojnë këtë lloj sjellje. “Shumë pjesëtarë të elitës politike në Kosovë promovojnë ideologjinë e urrejtjes dhe ekstremizmit”, ka thënë Gjuriq.

Ndryshe, disa ditë para kremtimit të festës, në hyrje të fshatit u vendos një pankartë, të autorëve tash për tash anonim, me përshkrimin “Kjo është çka kanë lanë pas veti kur u larguan nga Mushtishti serbët lokalë“. Pankarta e vendosur tregonte fotografitë e shtëpive të djegura të fshatit gjatë luftës në Kosovë.

Ndryshe, Mushtishti është fshati më i madh i Komunës së Suharekës që më shumë se 600 shtëpi, ndërsa rreth 100 prej tyre kanë qenë të komunitetit serbë. Në këtë fshat para luftës së vitit 1998-1999 kanë jetuar bashkërisht shqiptarët dhe serbët, por pas luftës raportet u keqësuan pasi gati të gjitha shtëpitë e shqiptarëve të këtij fshati u dogjën nga forcat serbe. Pas luftës u dogjën edhe shtëpitë e serbëve.