Integrimi

Pensionistët kosovarë në Francë, viktima të mospunës së institucioneve kosovare

Qytetarët e Kosovës të pensionuar në Francë mbeten peng të neglizhencës së institucioneve kosovare. Bëhet fjalë për ata që kanë jetuar dhe punuar edhe në Kosovë por që tani janë qytetarë të Francës

Qytetarët nga Kosova që jetojnë në Francë, kur i mbushin 65 vjet kanë probleme për të marrë kompensimin apo ndihmën e pleqërisë ose siç e quajnë disa “pensionin e pleqërisë” në Francë. E që në frëngjisht quhet «Allocation de solidarité aux personnes âgées» (Aspa). Kurse sa i përket pensionit të punës nuk kanë kurrfarë problemi (nuk kërkohet asnjë dokument), të gjitha i kanë në Francë, dhe kjo nuk ka asnjë lidhje me pensionet nëse i merr edhe në shtete tjera.

Siç shihet, kjo ndodh nga mospuna apo edhe mosdija e njerëzve që punojnë nëpër institucionet kosovare që kanë në kompetencë të tyre pensionet.

Shumë shqiptarë që jetojnë në Francë posa i kanë mbushur 65 vjet, kanë paraqitur kërkesën për të marrë këtë “pension të pleqërisë” që ju takon. Kjo ju takon të gjithë atyre që kanë punuar në periudhë të shkurtë apo që nuk kanë asnjë ditë pune në Francë. Por, duhet të jenë qytetarë të Francës, duhet të kenë vendbanimin (banesën, shtëpinë) në Francë. Të drejtë për ta marrë këtë pension kanë edhe bashkëshortët, si gruaja apo burri, por vetëm në raste të veçanta. Për shembull: nëse burri apo gruaja, njëri prej tyre punon, apo edhe është në pension të punës e që shuma e rrogës apo pensionit e kalon plafonin e caktuar, i cili në Francë është 1 242 € në muaj, atëherë njëri prej bashkëshortëve nuk ka të drejtë të marrë 800 € ndihmë të pleqërisë, apo si po e quajmë “pension të pleqërisë”, pasi që të ardhurat e njërit bashkëshort janë të larta dhe kalojnë plafonin e caktuar.

Për 65 vjeçarët kosovarë (si pensionistë të pleqërisë), “pensioni” përllogaritet në atë francez, nuk lejohen pensione ekstra

Të dy bashkëshortët mund ta marrin pensionin e pleqërisë vetëm nëse nuk punojnë apo nëse pensionet e punës janë të ulëta, ose edhe nëse nuk kanë punuar fare në Francëm asnjë ditë. Pra i marrin te dytë, por shuma nuk guxon ta kalojë plafonin e caktuar. Do të thotë nëse është i vetëm, i merr 800 €, nëse marrin të dytë, nuk guxon ta kalojë plafonin e caktuar 1 242 € në muaj. Gjegjësisht nuk mund t`i marrin nga 800 € secili, por secili nga 621 € e që arrijnë tek plafoni i lejuar 1242 €. Gjithmonë duke menduar se bëhet fjalë për ndihmat apo kompensimin e pleqërisë (pension i pleqërisë), e jo për pension nga puna.

Kjo zvarritje e gjatë me muaj e madje edhe nga 1 vit e deri 3 vite, i lë pa e shfrytëzuar këtë të drejtë që ju takon. Kjo ndodh sepse institucionet në Francë kërkojnë një konfirmim zyrtar nga institucionet përkatëse të Kosovës, për personin që ka kërkuar këtë pension në Francë, për t’a ditur se a ka punuar në Kosovë dhe se a merr pension të punës, në Kosovë, apo edhe të pleqërisë (pa punuar fare).

Këtë konfirmim nuk janë në gjendje t`ua ofrojnë institucioneve të Francës ato nga Kosova. Kështu, për shkak të kësaj neglizhence të institucioneve të Kosovës, 65 vjeçarët shqiptarë në Francë mbahen peng, dhe mbeten pa marrë lekët që ju takojnë. Sa më efikase që do të jenë institucionet në Kosovë, më shpejt dhe pa probleme do t`i shfrytëzojnë këto të drejta në Francë.

Arsyeja pse nstitucionet franceze t’a kërkojnë këtë konfirmim zyrtarisht është, se paratë që i marrin në Kosovë duhet të zbatohen tek “pensionet e pleqërisë” që i marrin në Francë, por jo edhe kur është fjala për pensionet e punës që i marrin. Këtu është një dallim. Psh, nëse në Francë një person i merr 800 € e në Kosovë i njëjti person i merr edhe 130 € tjera, atëherë institucionet në Francë ia heqin ato 130 € të Kosovës. Praktikisht i marrin 670 € në Francë dhe 130 € në Kosovë, e që së bashku bëjnë 800 €.

Kriza ekonomike dhe “kultura” ballkanike e ryshfetit, ua hap sytë francezëve

Kështu nuk ka qenë para disa viteve, por tani nga kriza ekonomike në Evropë, shteti fillon të kursejë dhe të mos u japë njerëzve lekë pa punuar fare. Gjithashtu i ka shtyrë edhe pakorrektësia e njerëzve për të deklaruar gjendjen e vërtetë, dhe duke ofruar dokumente jo zyrtare, apo edhe zyrtare, por të lëshuara me ryshfet nga institucionet e shteteve prej nga vijnë.

Dikush mund të thotë, por personi mund të shkojë personalisht në Kosovë, të dalë në pension atje dhe të marrë dokumentet përkatëse të kërkuara nga institucionet franceze duke dëshmuar se ka dalë në pension dhe, cila është shuma e pensionit që merr në Kosovë, dhe pastaj t`ua dërgojë personalisht institucioneve në Francë, dhe kështu zgjidhet problemi për të mos priurt nga institucionet e papërgjegjshme të Kosovës.

Ka edhe këso raste në të cilat kosovarët i kanë kryer vetë këto punë dhe i kanë dorëzuar dokumentet në institucionet e Francës. Por as kjo nuk po funksionon, prapë presin. Kjo ndodh për shkak se institucionet e Francës tani më janë të vetëdijshme, se në disa shtete mund të marrësh me lidhje, apo me ryshfet çfarëdo dokumenti që dëshiron, madje të nënshkruar nga individë të lartë të institucioneve shtetërore, si komunale edhe qeveritare, përkundër faktit se atë dokument të rrejshëm nuk kanë të drejtë ta lëshojnë.

Ky mosbesim apo e vërtetë, i detyron institucionet e Francës të kërkojnë zyrtarisht nga institucionet shtetërore dokumente zyrtare, që të vërtetohet se një person është i pensionuar edhe në Kosovë, dhe cila është shuma e lekëve që ai merr atje. Gjithashtu, kanë të drejtë të interesohen që të dinë se çfarë pasurie kanë në Kosovë, e që kjo gjithashtu ndikon tek ndihmat e pleqërisë (pensioni i pleqërisë). Kështu, nëse lëshohet një dokument i rrejshëm përgjegjësinë e merr institucioni shtetëror i atij shteti, e jo qytetari i atij shteti e që tani jeton në Francë.

Mosha për pensionin e punës në Francë

Ata që kanë lindur para 1 korrikut të vitit 1951 dalin në pension kur t`i mbushin 60 vjet. Ata që kanë lindur nga 1 korriku deri më 31 dhjetor të vitit 1951 dalin në pension kur t`i mbushin 60 vjet e 4 muaj; Të lindurit në vitin 1952 dalin në pension kur t`i mbushin 60 vjet e 9 muaj; Ata që kanë lindur në vitin 1953 pensionohen kur t`i mbushin 61 vjet e 2 muaj;  në vitin 1954, dalin në pension kur t`i mbushin 61 vjet e 7 muaj. Ata që kanë lindur në vitin 1955 dalin në pension kur t`i mbushin 62 vjet. Kurse për të marrë ndihmën e pleqërisë (pension i pleqërisë) duhet mbushur 65 vjet, e që është diçka tjetër nga pensioni të punës.

Si ndikon pensioni kosovar në lartësinë e pensionit në Francë

Nëse në Francë një person i merr 800 € e në Kosovë i njëjti person i merr edhe 130 € tjera, atëherë institucionet në Francë ia heqin ato 130 € të Kosovës. Praktikisht i marrin 670 € në Francë dhe 130 € në Kosovë, e që së bashku bëjnë 800 €.