Lajme

Për 18 vjet, 130 raste të kanosjeve dhe vrasjeve të gazetarëve

Që nga viti 1999 e deri më tani, janë raportuar më shumë se 130 raste të kërcënimeve, lëndimeve dhe vrasjeve të gazetarëve në Kosovë. Kështu u tha sot (e mërkurë) në një konferencë organizuar nga Zyra e Prokurorit të Shtetit dhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës. Aty u tha se vetëm në Gjykatën Themelore të Prishtinës janë shënuar 90 raste të veprave penale të kryera ndaj gazetarëve në Kosovë.

Besim Kelmendi, prokuror dhe koordinator në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit për rastet e gazetarëve, tha se një numër të madh të rasteve nuk është identifikuar kurrë kryesi i veprës penale. Ai tha një numër i rasteve zgjidhet, por ka edhe një numër i konsiderueshëm që ka mbetur pa u zbardhur.

Që nga kjo periudhë sipas Kelmendit në  Prishtinë janë 90 raste, në  Pejë 4 raste, në Mitrovicë 16 raste, në Gjilan 9 raste, në Ferizaj 1 rast, ndërsa në Prizren nuk ka pasur asnjë rast.

Bashkim Zeqaj, prokuror i caktuar për rastet e gazetarëve në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, ka thënë se raste e kërcënimeve ndaj gazetarëve do të shikohen me prioritet.

“Kemi pasur ngritje të rasteve të ngritjes së aktakuzave për kërcënime sulme ndaj gazetarëve. Do t’u rrimë mbi kokë prokurorët për zgjedhjen e rasteve që kanë të bëjnë me kërcënime ndaj gazetarëve”, ka thënë Zeqaj.

Ndërsa, Vllaznim Surdulli, nga Policia e Kosovës, tha se Policia e mban primatin e transparencës dhe bashkëpunimit  me gazetarët.

Kryetari i AGK-së Shkëlqim Hysenaj tha se tek rastet e gazetarëve një prej elementeve është që të gjitha gazetarët që janë kërcënuar gjëja e parë që duhet të bëjnë është të lajmërojnë Policinë.  “E dyta është që të rritet bashkëpunimi me AGK-në, që të na njoftojnë dhe të adresojmë rastet e tyre”, deklaroi  Hysenaj.