Kosova

Për krime në fshatin Krushë e Vogël, ngritet aktakuzë ndaj një serbi

Prokuroria Speciale e Kosovës njofton se ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore të Prizrenit kundër serbit D.T. për krime të luftës që pretendohet se janë kryer në kapacitetin e tij si pjesëtar i forcave policore rezervë apo forcave paramilitare serbe në fshatin Krushë e Vogël, mes datave 25 -27 mars 1999.

I akuzuari ishte arrestuar në nëntor 2017 në bazë të një fletarrestimi ndërkombëtar gjatë përpjekjes për të kaluar kufirin nga Serbia në Kosovë, përcjell albinfo.ch.

“D.T. akuzohet për plaçkitje, shkatërrim me paramendim dhe krim kundër dinjitetit personal dhe njerëzor, shkelje këto të ligjit të vendit si dhe të së drejtës humanitare ndërkombëtare. Akuzat ndërlidhen me një sulm në fshatin Krushë e Vogël, i cili filloi më 25 mars 1999 nga forcat serbe, përfshirë policinë dhe paramilitarët, gjatë të cilit popullata civile i ishte nënshtruar vrasjeve brutale dhe të paligjshme, trajtimit çnjerëzor, vuajtjeve të rënda, etj”, thuhet në njoftim.