Lajme

Për ndërtimin e ambasadës, 600 vende pune

Rreth 600 kosovarë do të punësohen në ndërtimin e objektit të Ambasadës Amerikane në Kosovë

Në ndërtimin e objektit të ri të Ambasadës Amerikane në Prishtinë do të hapen rreth 600 vende të reja të punë. Kështu ka deklaruar ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), Arban Abrashi. Ai këtë njoftimin e ka dhenë pas takimin me përfaqësuesin e kompanisë amerikane që merret me ndërtimin e këtij objekti.

“Sot pata një takim me përfaqësuesin e kompanisë B. L Harbert International, Brian J Kelly. U pajtuam që me përkrahje të kësaj kompanie, 600 nga punëkërkuesit tanë të punësohen në projektin e ndërtimit të objektit të Ambasadës Amerikane në Kosovë”, deklaroi Abrashi.

Punëkërkuesit kosovarë, sipas tij, do të shfrytëzojnë qendrat e aftësimit profesional për testimin paraprak në profesione të ndryshme të nevojshme për këtë projekt ndërtimi, raporton Express.

“Një numër prej 600 punëkërkuesve do të kenë mundësinë e punësimit duke vijuar dhe kaluar përmes aftësimit profesional. Përmes kësaj praktike, Ministra e Punës bënë integrimin e aftësimit profesional, ndërmjetësimit të punësimit dhe punësimit”, deklaroi Abrashi.

Kjo, sipas tij, është mbështetje e pa rezerve e një kompanie nga SHBA-të, sikurse është mbështetje nga Ambasada Amerikane dhe Shtetet e Bashkuara për Kosovën. “Ne mirëpresim ndërtimin e objektit të ri dhe jemi krenar me marrëdhëniet mes vendeve tona”, thuhet në njoftimin lëshuar nga MPMS, raporton Albinfo.Ch.