Integrimi

Për një Maqedoni të qytetarëve apo të ndarë në baza nacionale

Kjo tryezë debati është hera e parë që krijohet një platformë ku dy politikanë të lartë dhe përfaqësues të dy kampeve aktualisht opozitare japin vizionet e tyre lidhur me zgjedhjet në Maqedoni dhe në përgjithësi mbi gjendjen aktuale dhe të ardhmen e këtij vendi

 

Në organizim të platformës albinfo.ch sot në Bernë është mbajtur një debat lidhur me zgjedhjet në Maqedoni në raport me diasporën. Se interesimi i mërgatës shqiptare për zhvillimet aktuale në Maqedoni është i madh, është dëshmuar edhe me praninë shumë të gjerë të publikut në këtë aktivitet. Pos shqiptarëve, kryesisht nga Maqedonia, në sallën ku është zhvilluar debati ka pasur edhe një numër maqedonasish dhe goranësh (torbeshë) që jetojnë në Zvicër.

Drejtori i platformës albinfo.ch, dr. Bashkim Iseni ka bërë një hyrje në prezantimin e misionit të albinfo.ch. si një urë ndërlidhjeje në mes të diasporës shqiptare në Zvicër dhe vendeve në Ballkan  prej nga vjen kjo diasporë. Ai ka theksuar me këtë rast se është hera e parë që ofrohet një platformë ku dy politikanë të lartë dhe përfaqësues të dy kampeve aktualisht opozitare japin vizionet e tyre lidhur me zgjedhjet në Maqedoni dhe në përgjithësi mbi gjendjen aktuale dhe të ardhmen e këtij vendi.

Duke prezantuar dy mysafirët nga Maqedonia ai ka theksuar se bëhet fjalë për dy politikanë të profilit të lartë dhe që përfaqësojnë një alternativë të vërtetë të klasës politike në pushtetin qendror në Shkup. Alternativa konsiston në atë se Zaev ka synuar të tejkalojë modelin etnik duke iu referuar krijimit të një shoqërie qytetare, ka thënë drejtori i albinfo.ch. Ai po ashtu ka prezantuar z. Sela si politikan në krye të një koalicioni shqiptar i cili sfidon partitë politike në pushtet.

Sela: “Politika e të dyja kampeve vetëm ka aktruar gjetjen e zgjidhjes”

Ziadin Sela duke përshëndetur platformën albinfo.ch për mundësinë e krijuar për një bashkëbisedim të këtij niveli, ka thënë në fillim se ka marrë sugjerime nga diaspora të cilat i ka vendosur edhe në platformën zgjedhore. Ai ka theksuar se situata në Maqedoni është e paqëndrueshme sa i përket pozicionit të shqiptarëve. “Dhe, jo vetëm nga marrëveshja e Ohrit por qysh nga viti 1912. Që atëherë në rend dite ka qenë spastrimi etnik i shqiptarëve nga Maqedonia. Ky dhe është shkaku që ne jemi kaq shumë jashtë vendit. Pastrim etnik më i rrezikshëm është ky i formës ekonomik, kur lihen shqiptarët pa perspektivë ekonomike, duke stimuluar kaosin politik, të rinjtë duke i bëre pa shpresë dhe duke stimuluar elemente kriminele në vend”.

“Gjatë gjithë kësaj kohe përfaqësuesit e dy popujve kanë aktruar se gjoja e kanë gjetur zgjidhjen, që në fakt asnjëherë nuk është gjetur”, ka thënë Sela. Ai ka shprehur kënaqësinë që së paku tash, para zgjedhjeve “nga blloku maqedonas kemi gatishmëri për t`i zgjidhur këto probleme. Por jo në kuadër të marrëveshjes kornizë të Ohrit sepse ajo e ka pasur gjithë kohën e duhur për tu realizuar. Ajo është e tejkaluar. Simbolika e bashkëbisedimit të sotëm tregon se ne jemi të hapur për të biseduar por edhe për të mos pranuar të flasim si një pakicë kur ne si shqiptarë kemi së paku rreth një të tretën në Maqedoni”, ka theksuar Sela.

Koalicioni “Aleanca për shqiptarët” është lidhur në mes 3 partive që garojnë së bashku në këto zgjedhje, ka thënë Sela. Ai ka theksuar se statusi i shqiptarëve në Maqedoni duhet të rregullohet në radhë të parë për vetë shqiptarët. Por, ka nënvizuar ai, “duke u rregulluar statusi i shqiptarëve në Maqedoni përmbushet edhe synimi i miqve tanë ndërkombëtarë për stabilitet ne shoqërinë e këtij vendi. Dhe, ne jemi për stabilitet por jo  stabilitet me çdo kusht siç ka ndodhur deri tash.

Duke folur për skandalet që janë zbuluar dhe ku viktima kanë qenë kryesisht shqiptarët, (si Monstra, Sopoti, vrasja e Harun Aliut etj.), Ziadin Sela ka thënë e përgëzon Zaevin që i ka zbuluar dhe publikuar ato skandale. “Por, ai duhej t`i bënte të gjitha dhe nuk i bëri, prandaj kjo është manipulative. Frika nga tensionimi i situatës, që Zaev e ka përmendur si arsyetim, nuk qëndron. Situata tashmë është e tensionuar. Kjo situate kulmoi me Kumanovën, vrasjen e dhjetëra shqiptarëve dhe me djegien e një lagjeje të tërë”. Ndërsa duke iu drejtuar mërgimtarëve, Sela ka thënë:” Ju, shqiptarët e Zvicrës jeni fajtorë sepse sillni në Maqedoni 1 miliard euro në vit ndërsa ata ju shikojnë me përbuzje. Paratë ua duan por jo juve”, ka thënë ai veç tjerash.

Zaev: “Nuk mund te jemi të mirë vetëm ne, maqedonasit, ndërsa të gjithë të tjerët të këqij!”

Ndërsa Zoran Zaev ka  shpalosur qëndrimin e tij të njohur kundër “regjimit”, siç i është referuar ai gjatë gjithë kohës partive në pushtet. “Maqedonia pavarësisht nga përkatësia nacionale, religjioze e politike duhet të jetë e bashkuar për ta nxjerrë nga qeverisja këtë regjim. Këtu jemi të bashkuar dhe unë si përfaqësues i komponentit politik maqedonas flas ne një tubim ku shumicën e përbëjnë shqiptarët. Jam i pari nga politikanet maqedonas që jam angazhuar për barazi dhe unitet me gjithë rrezikun qe kjo mund të më humbë votat e atyre që nuk e besojnë këtë mundësi barazie. Unë i kam hapur këto tema pavarësisht se kush preket dhe këtë e bëra për  të mirën e Maqedonisë. Besoj se kjo Maqedoni mund te synojë të bëhet një Zvicër e bashkuar dhe e barabarte për të gjithë. Kur i publikova `bombat` e pash se paratë janë vjedhur nga te dyja kampet etnike, si maqedonase edhe shqiptare, pavarësisht nga ajo se çfarë përqindje bëjnë ata në popullatë. Një sistem mafioz pavarësisht nga përkatësia etnike është ai që përfiton.

Paratë kanë shkuar ne monumente, në muze te cilat në vend se të bashkojnë, e bëjnë ndarjen e vendit. Dhe jo vetëm kaq: ato na prishin edhe me fqinjët tanë Kosovën, Serbinë, Shqipërinë, Bullgarinë. Nuk mund te jemi të mirë vetëm ne, maqedonasit ndërsa të gjithë të tjerët të këqij. Prandaj tash është koha që t`i themi stop, të bashkuar këtij regjimi. Më tërheqin vërejtjen se kjo e dëmton Zaevin. Unë e di këtë por e kundërta i kushton më shumë Maqedonisë”. Ai ka thënë më tutje se është anakronike sot të bëhen licitime se cili është më i madh: Aleksandri i Madh apo Skënderbeu etj.

Gross: Nëse këto procese nuk përfundojnë, ne mund t`i themi lamtumirë ekzistimit të Maqedonisë!

Kryetari i Kuvendit të albinfo.ch, politikani i njohur zviceran, ish deputet nacional dhe i Këshillit të Evropës, dr. Andreas Gross është prezantuar si një mik dhe njohës i shquar i Maqedonisë dhe i shqiptarëve

“Në 10 vitet e fundit Maqedonia është ndarë dhe dezintegruar më shumë se kurrë më parë. Kemi dezintegrim të madh në mes të politikanëve dhe qytetarëve. Politikanët nuk kane qasje në shoqëri, kjo është një katastrofë që tregon se demokracia nuk po funksionon. Nëse këto procese nuk përfundojnë, ne mund t`i themi lamtumirë ekzistimit te Maqedonisë.

Duhet ta hapni shtetin ndaj opozitës dhe te shpërndani pushtetin në mes etnive dhe me opozitën. Pika kryesore është ndarja e fuqisë me te gjithë. Duhet të ndryshojmë kushtetutën. Për ta ndryshuar këtë duhet të zgjidhim problemin e gjuhës dhe te mos themi maqedonasit, shqiptarët por shqiptarë e Maqedonisë, maqedonasit e Maqedonisë. Dy gjuhët të jene njësoj gjuhë zyrtare që të mund të përdoren në të gjitha regjionet e vendit në mënyre të barabartë, sikur në Zvicër. Te ne edhe emrat e rrugëve janë në dy gjuhë, kështu duhet të jenë edhe në Maqedoni. Maqedonasit të mësojnë shqip dhe shqiptarët maqedonisht. Të garantohet e drejta lokale por marrëveshja e Ohrit tashmë është e tejkaluar, ka sugjeruar Gross.

Debati pastaj është bartur te publiku, i cili ka shtruar një sërë pyetjesh drejtuar panelistëve, kryesisht Zaevit dhe Selës. Një numër i këtyre pyetjeve përçonte shqetësimin legjitim të shqiptarëve nga Maqedonia, mërgimtarë në Zvicër, për “mashtrimin e radhës” të elektoratit shqiptar ose për humbjen që i kanoset atij në rast të një ndarjeje të mëtejme etj. Kishte pyetje edhe nëse do të ishte më mirë që diaspora t`i bojkotonte fare zgjedhjet, pasi që, është bindje e përgjithshme, se me këto vota manipulohet në qendrat e votimit dhe të numërimit të votave.

“Stop krahasimeve primitive se cili ishte më i madh: Aleksandri i Maqedonisë apo Skënderbeu!”

Paratë kanë shkuar ne monumente, në muze te cilat në vend se të bashkojnë, e bëjnë ndarjen e vendit. Dhe jo vetëm kaq: ato na prishin edhe me fqinjët tanë Kosovën, Serbinë, Shqipërinë, Bullgarinë. Nuk mund te jemi të mirë vetëm ne, maqedonasit ndërsa të gjithë të tjerët të këqij. Prandaj tash është koha që t`i themi stop, të bashkuar këtij regjimi. Më tërheqin vërejtjen se kjo e dëmton Zaevin. Unë e di këtë por e kundërta i kushton më shumë Maqedonisë”. Ai ka thënë më tutje se është anakronike sot të bëhen licitime se cili është më i madh: Aleksandri i Madh apo Skënderbeu etj.

(Fotot: Irfan Agushi)