Integrimi

Për një pleqëri me dinjitet në vend të huaj

3 nga gjithsej 15 protagonistët e librit me fotografi e fjalë «Altern in der Fremde» (Plakja në vend të huaj) që u promovua mbrëmjen e të enjtes në Cyrih, janë shqiptarë

Baca Ndue ka mbushur 88 vjet, nga të cilat 45, ose pak më shumë se gjysmën, i ka kaluar në Zvicër. Është «top-fit» nga shëndeti për moshën që ka. Bile në solemnitetin e organizuar për promovimin e librit «Altern in der Fremde» (Të plakesh në vend të huaj), ai rri më shumë në këmbë se sa ulur.

«Kam ardh në Zvicër në 1970-en sene. Kam punu gjith kohën, deri në pension», thotë Ndue Berisha për albinfo.ch. Ndërsa për plakjen në Zvicër, gjegjësisht për jetën me fëmijët që i ka shumicën këtu, ai ka vetëm fjalë të mira. «T`rijt e sotit janë shumë t` mirë dhe t` kujdesshëm», thotë ai, duke folur për përvojën që ka me bijtë dhe bijat që i gjenden gjatë gjithë kohës pranë. Këtë e dëshmon edhe e bija, e cila po e shoqëronte në aktivitetin e promovimit të librit në Cyrih. Ajo e ndiqte në çdo hap babain e saj, megjithë faktin se ai vetë dukej mjaft vital dhe i fortë për moshën.

Ndërsa Ramadan Hoti ka 82 vjet dhe me gjithë gjendjen pak më të rënduar se Ndou, mbahet jo keq. Ka një mendje të kthjellët dhe nuk e lejon veten të bjerë në depresion. Për këtë e ka edhe ndihmën e pakursyer të të birit dhe të gjithë familjes. Ata i kanë blerë në ditëlindjen e tij të tetëdhjetë një karrocë elektrike invalidësh, duke ia lehtësuar me të madhe lëvizjen. Baca Ramadan për çdo pasdite del me moshatarët dhe shokët tjerë, pak më të rinj se ai, në një restorant popullor në Oerlikon të Cyrihut, ku e kalon kohën dhe e mban gjallë dëshirën për jetën. Ai thotë se ka ardhur në Zvicër në vitin 1971 dhe ka punuar derisa e ka mbushur moshën e pensionimit.

Këta dy «seniorë» të mërgatës shqiptare në Zvicër, bashkë me gazetarin veteran, Rexhep Rifati, që duket “fare i ri” pranë tyre, janë tre nga gjithsej 15 protagonistët e librit me fotografi e fjalë «Altern in der Fremde» (Plakja në vend të huaj) që u promovua mbrëmjen e të enjtes në Cyrih. Autorja, artiste dhe ligjëruese e fotografisë Silvia Voser, krahas promovimit të librit, ka bërë edhe një ekspozitë me fotografitë e nxjerra nga libri në fjalë, të cilat kanë pasur mundësi t`i shikojnë të pranishmit, raporton albinfo.ch.

Në një fjalë rasti, Voser ka sqaruar preokupimin e saj me temën të cilës ia ka kushtuar librin, duke vënë në dukje kontributin e madh që kanë dhënë migrantët e gjeneratave të para për ngritjen e mirëqenies së Zvicrës që e njohim sot. Ajo ka apeluar që për këtë kategori të kihet më shumë kujdes nga shoqëria, duke pasur parasysh jetën e tyre në mes të dy botëve dhe vështirësitë specifike që ka pleqëria në vend të huaj.

Shqiptarët dhe ballkanasit tjerë që kanë mbërritur moshën e pensionimit në Zvicër po bëhen gjithnjë më të shumtë dhe problemi i tyre po bëhet më i prehtë. Prandaj ai është shpeshherë në fokus të trajtimeve të ndryshme nëpër tryeza ose aktivitete tjera. Libri “Altern in der Fremde” është njëri ndër kontributet e këtij lloji.

Në solemnitetin e hapjes së ekspozitës dhe promovimit të librit, është paraqitur me dy pika muzikore, me çifteli dhe me lahutë, rapsodja shqiptare me qëndrim në Zvicër, Ajshe Muriqi Fetaj. Ky ka qenë i vetmi “ilustrim muzikor” i kësaj mbrëmjeje.

Autorja Silvia Voser e ka prezantuar me këtë rast instrumentin e lahutës si një instrument ekzotik dhe ndër ndër më të vjetrit në Evropë, i cili përdoret edhe sot në malësitë e veriut të Shqipërisë dhe në Kosovë.

Krahas një publiku të gjerë, të përbërë kryesisht nga zviceranë dhe nga familjarë të protagonistëve të librit, në këtë veprimtari kanë marë pjesë edhe përfaqësuesi diplomatik në Zvicër Islam Spahiu dhe ushtruesja e detyrës së drejtorit në Qendrën Kulturore të Kosovës në Cyrih, Shukrije Ramadani.