Lajme

Për shkak të klimës politike, ka rënie të  bizneseve të reja

Gjatë tre muajve të parë të këtij viti  janë regjistruar gjithsej 2, 237 biznese të reja që i bie për 21.5  % më pak se sa vitin e kaluar

Agjencia e Statistikave e Kosovës ka publikuar të dhënat e fundit të cilat tregojnë për rënie të madhe të numrit të bizneseve të reja të regjistruara gjatë vitit 2017 në Kosovë.

Sipas këtyre të dhënave,  gjatë tre muajve të parë të këtij viti  janë regjistruar gjithsej 2, 237 biznese të reja që i bie për 21.5  % më pak se sa vitin e kaluar. Ekspertët e ekonomisë dhe përfaqësuesit e bizneseve vlerësojnë se kjo është një shenjë se ata që duan të merren me biznese nuk po shohin perspektivë në këtë vend.

Rënia e numrit të bizneseve të reja është pasojë e zgjedhjeve të parakohshme  ka thënë për “Kosova Sot” njohësi i çështjeve ekonomike e financiare, Milazim Abazi. “Edhe pse fushata zgjedhore ka qenë më e shkurtër sesa në zgjedhjet e rregullta, megjithatë gjatë fushatave zgjedhore pakkush vendos të regjistrojë biznes të ri”, ka theksuar ai.

E nënkryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Bashkim Osmani, u shpreh se të gjitha këto shifra tregojnë për një rënie të ekonomisë së vendit tonë.