Shqipëria

Përdhunon dhe detyron të prostituohen 3 shqiptare: 7 vjet burg për shqiptarin

Dy personat, në periudhën në mes viteve 2012 dhe 2014 kanë marrë me mashtrime të ndryshme tri femra të reja nga Shqipëria me qëllimin për t`i detyruar të merren me prostitucion në Gjermani

Gjykata e Landit në Frankfurt ka dënuar me 7 vjet burg një shtetas  31 vjeçar të Shqipërisë. Veprat për të cilat ai është dënuar janë: përdhunim seksual, marrje me prostitucion, trafikim me qenie njerëzore dhe shkaktim lëndimi trupor. Krahas tij, gjykata në fjalë ka dënuar edhe një të afërm të tij të familjes, një të ri 21 vjeçar, shkruan eco-online.de. Ky i fundit është dënuar me 18 muaj burg me kusht për ofrim ndihme.  

Dy personat, në periudhën në mes viteve 2012 dhe 2014 kanë marrë me mashtrime të ndryshme tri femra të reja nga Shqipëria me qëllimin për t`i detyruar të merren me prostitucion në Gjermani, transmeton albinfo.ch. Dy prej tyre janë detyruar të ushtrojnë punën e prostituteve në bordele në regjionin Ruhr dhe në Hamburg, me ç`rast të ardhurat janë detyruar t`ua dorëzojnë dy personave tash të dënuar. Femrën e tretë, i dënuari i parë është përpjekur ta detyrojë po ashtu për t`u marrë me prostitucion. Për të realizuar këtë qëllim, ai e ka përdhunuar atë. Por ajo ka rezistuar dhe nuk ka pranuar t`i bindet dhunuesit të saj.

Procesi gjyqësor ka zgjatur rreth tetë muaj dhe gjatë gjithë kësaj kohe, dy të akuzuarit nuk kanë pranuar të flasin, përcjell albinfo.ch. I akuzuari kryesor ka thënë për vete se ndjehet si viktimë. Por prokurori në fund ia doli të bindë trupin gjykues për fajësinë e dy shqiptarëve, të cilët morën dënimin e  merituar.