Futboll

Përfaqësuesja e Zvicrës vendoset në Toljati

Toljati, i pagëzuar në vitin 1964 sipas komunistit italian Palmiro Togliatti, gjendet 1000 kilometra në juglindje të Moskës, shkruajnë mediat zviceran

Përfaqësuesja zvicerane do të qëndrojë gjatë gjithë Kampionatit Botëror në Toljati të Rusisë.

Pas aterrimit në Samara, futbollistët zviceranë është dashur të presin edhe një orë për autobusin dhe pas shtatë orësh udhëtim, më në fund të vendosen në bazën e tyre të KB në Toljati.

Toljati, i pagëzuar në vitin 1964 sipas komunistit italian Palmiro Togliatti, gjendet 1000 kilometra në juglindje të Moskës, shkruajnë mediat zvicerane, përcjell Albinfo.ch.

Resorti Toljatti gjendet mu në brigjet e lumit Volga. Hoteli nëntëkatësh me pishinë, saunë dhe palestër për fitnes, me 40 000 metra katror truall, është në shërbim të zviceranëve gjatë gjithë qëndrimit të tyre në Kupën Botërore. Barin karaoke “Garage” dhe barin e plazhit vështirë se do të jenë në gjendje të përdorin Sommer, Xhaka dhe shokët. Por, ndonjë shëtitje e shkurtër përreth lumit Volga ndoshta nuk do të mungojë.

Stërvitjet do të zhvillohen në stadiumin Torpedo të Tolyatit, vetëm pesë minuta larg hotelit dhe fusha e gjelbër është e rinovuar.

Për ndeshjen e grupit kundër Brazilit (më 17 qershor në Rostov) koha e fluturimit është 1.35 orë. Para ndeshjes së dytë kundër Serbisë (22 qershor në Kaliningrad), Zvicra do të udhëtojë për 2.45 orë me avion. Koha më e shkurtër për të fluturuar është para ndeshjes së grupit më 27 qershor kundër Kostarikës – 55 minuta në Nizhny Novgorod.