Lajme

Përfundimisht miratohet qasja e Kosovës në Programet e BE-së

Pas miratimit të sotëm kjo marrëveshje kornizë e cila është nënshkruar mes BE-së dhe Kosovës në dhjetor të vitit kaluar, do të hyj në fuqi së shpejti dhe do të mundësoj që Kosova të jetë pjesë e 17 programeve të BE-së

Përfundimisht është miratuar Marrëveshja Kornizë ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Republikës së Kosovës për pjesëmarrjen në Kosovës në programet e BE-së nga ana e Këshillit për punë të Jashtme të Bashkimit Evropian në Bruksel. Kjo marrëveshje është përshëndetur nga Ministra e Integrimit Evropian (MIE) në Prishtinë.

“Mirëpresim miratimin e Marrëveshjes Kornizë ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Republikës së Kosovës për pjesëmarrjen në programet e BE-së nga ana e Këshilli për punë të Jashtme të Bashkimit Evropian në Bruksel”, thuhet në reagimin e kësaj ministre.

Pas miratimit të sotëm kjo marrëveshje kornizë e cila është nënshkruar mes BE-së dhe Kosovës në dhjetor të vitit kaluar, sipas MIE-së, do të hyj në fuqi së shpejti dhe do të mundësoj që Kosova të jetë pjesë e 17 programeve të BE-së që ofrojnë mbështetje financiare për një gamë të gjerë përfituesish, siç janë, studentët, shkencëtarët, OJQ-të, bizneset, qytetet, rajonet, mediet, artistet dhe shumë të tjerë.

“Kërkesat e Kosovës për t’iu mundësuar qasja në këto programe janë të kamotshme dhe procesi deri te miratimi i sotëm ka qenë i gjatë, duke filluar zyrtarisht që nga viti 2009 kur Komisioni Evropian e ka rekomanduar për herë të parë”, thuhet më tej në njoftim.

Padyshim, kjo sipas MIE-së, do të  krijoj mundësi të reja për bashkëpunim mes Kosovës dhe BE-së, duke përfshirë edhe pjesëtar të ndryshëm të shoqërisë tonë në proces të bashkëpunimit me kolegët e tyre nga BE edhe rajoni.

“Qeveria e Kosovës në vitin e parë pas hyrje në fuqi, pra gjatë vitit 2018,  ka paraparë pjesëmarrjen në katër nga këto programe në vitin në vazhdim: Erasmus +, COSME , Evropa për Qytetarë dhe Evropa Kreative”, thuhet në njoftimin e MIE-së.