Integrimi

Përfundimtare: PS merr 73 mandate, PD 43 dhe LSI 19

Kur procesi i numërimit të votave po i afrohet fundit, PS ka siguruar fitore bindëse duke siguruar 73 mandate, PD ka shënuar rënie krahasuar me zgjedhjet e kaluara dhe ka marrë 43 mandate, LSI ka një rritje të ndjeshme pasi ka 19 mandate, PDIU ka 4 mandate dhe PSD 1 mandat

Procesi i zgjedhjeve parlamentare në Shqipëri tanimë ka marrë epilogu dhe sipas rezultateve, Partia Socialiste e kryeministrit Edi Rama ka fituar zgjedhjet e të dielës, duke siguruar 73 vende në Kuvendin e Shqipërisë, i cili ka gjithsejtë 140 ulëse. E dyta radhitet Partia Demokratike me 43 ulëse në Kuvend dhe  treta është Lëvizja Socialiste për Integrim e Ilir Metës me 19 ulëse. Vetëm 4 mandate i ka siguruar partia Çame.

Në shumë qendra numërimi kanë përfunduar procesi i numërimit të votave, ndërsa nga votat që kanë mbetur pa numëruar mund të ketë ndryshime shumë të vogla, me lëvizje të një mandati nga një parti tek tjetra. Numri i mandateve që ka fituar PS ia mundëson që ta formojë e vetme qeverinë, pa asnjërën parti.

Kjo është fitorja më e thellë që ka siguruar Partia Socialiste prej që ka ndodhur ndryshimi pluralist në  Shqipëri, më 1992. Po ashtu kjo është fitorja e dytë radhazi e kryeministrit Edi Rama kundrejt demokratëve. Ai herën e kaluar bashkë me LSI-në e mundi Sali Berishën, kurse kësaj here Lulzim Bashën.  Këto zgjedhje konsiderohen shumë të rëndësishme për rrugë integruese të Shqipërisë.