Shkurt.ch

Përfundon kontributi zviceran në “Fondin e Kohezionit” për vendet e reja të BE-së

Javën e kaluar ka përfunduar afati dhjetë vjeçar për realizimin e kontributit të Zvicrës për zgjerim në dhjetë vende të Evropës Qendrore dhe Lindore, të cilat kanë hyrë në BE në vitin 2004

Janë përmbyllur programet e ndihmës në Evropën Qendrore dhe të Lindjes, të financuara me “Fondin e Kohezionit” të Zvicrës. Me paratë zvicerane në dhjetë vende të ndryshme është arritur të zbutet pabarazia sociale dhe ekonomike në dhjetë vende të regjioneve të përmendura, njoftohet në një komunikatë të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Zvicrës.

Por edhe Zvicra ka qenë ajo që ka përfituar nga kontributi për zgjerim. Përmes kësaj ndihme, ajo ka arritur t`i përforcojë raportet e saj me vendet anëtare të Bashkimit Evropian.

Javën e kaluar ka përfunduar afati dhjetë vjeçar për realizimin e kontributit të Zvicrës për zgjerim në dhjetë vende të Evropës Qendrore dhe Lindore, të cilat kanë hyrë në BE në vitin 2004.

Gjatë kësaj kohe, Zvicra ka dhënë në fondin e përmendur një miliard franga, shumë kjo me të cilën ka realizuar 210 projekte.

Vendet të cilat kanë përfituar nga kontributi zviceran janë: Estonia, Letonia, Lituania, Malta, Polonia, Sllovakia, Sllovenia, Çekia, Hungaria dhe Qiproja.

DEZA dhe SECO, si dy organizata të ngarkuara nga federata për realizimin e projekteve, pas kalimit të këtij afati nxjerrin një bilanc pozitiv nga ky angazhim. “Në përgjithësi synimet e definuara më herët të projekteve tona janë realizuar dhe në disa projekte madje edhe janë tejkaluar”, ka thënë ambasadori Raymund Furrer, udhëheqës i sektorit të Bashkëpunimit Ekonomik dhe Zhvillimit në SECO.

Nga projektet që ka mbështetur Zvicra kanë përfituar edhe shtresa të gjera të popullatës në vendet përkatëse. Kështu, për shembull janë realizuar projekte nga fusha e energjisë së ripërtëritshme në Estoni, Lituani, Poloni, Slloveni dhe Hungari. Pastaj, në Poloni dhe Çeki, Zvicra ka investuar në ngritjen e trafikut publik. Në Letoni, Poloni, Çeki dhe Hungari janë mbështetur ndërmarrjet me mikrokredi, duke krijuar kështu mijëra vende të reja pune.