Opinione

Përfytyrojeni shoqërinë me elementin « Migracion »

Në vend të lidhjes së fjalëve « emigracion » dhe « problem », të shikojmë migracionin si një shanc. Sepse emigrantët kanë marrë pjesë në ndërtimin e Zvicrës aktuale. Përparimi i shoqërisë sonë varet nga kjo kulturë e përbashkët.

 

Ka disa kohë që në rrjetin e internetit qarkullonte një histori mjaft interesante. Një çift shihte nga dritarja e kuzhinës drejt një kopshti. Sa herë që fqinja e tyre shtrinte rrobat për t’i tharë, gruaja i thoshte burrit të saj « si është e mundur që ajo nuk di t’i lajë rrobat pastër ? Ndoshta duhet t’i propozojmë detergjentin tonë ». Ky rituel u përsërit për muaj me rradhë. Një mëngjes ndërkohë që ajo po pinte lëngun e saj të portokallit, gruaja e çuditur thotë « shiko, ajo ka ndërruar detergjentin e rrobave, rrobat e saj më në fund janë të pastra ». Burri i saj, pa e kthyer kokën, i përgjigjet nga kuzhina . « e dashur, ajo nuk ka ndryshuar asgjë. Unë kam  kam larë xhamat e kuzhinës sot në mëngjes ».

Kjo ankedotë mund të na bëjë të reflektojmë rreth vështrimit që kemi  mbi të tjerët. I jep ai formë botës ?

I huaj, shumë shpesh është emigranti, i panjohuri, ai që vjen nga larg, i mbështjellë me mistere dhe që ushqen fantzmat. Pavarësisht faktit që shtypi, disa fjalime politike dhe diskutime kafenesh i lidhin lehtë fjalët « emigracion » dhe « problem », do të provoj ta trajtoj fenomenin e emigracionit në Zvicër duke e vënë  në lidhje me  termin « potencial ».

Emigracioni : një histori shkuarjesh dhe ardhjesh

Zvicra është një tokë pritëse. Emigracioni është një pjesë përbërëse e historisë së saj. Mes viteve 1948 dhe 2002 Zvicra ka punësuar 7 milionë punëtorë sezonalë për ekonominë e saj. Gjashtë milionë emigrantë kanë ardhur të punojnë këto 50 vitet e fundit. Katër nga pesë nga këta emigrantë janë kthyer në vendin e tyre duke e lëshuar përfundimsht Zvicrën.  Në periudhën 1990 -2000, emigracioni i ka mundësuar Zvicrës të ketë rritjen më të madhe demografike në Evropën perëndimore.

Nuk ka qenë gjithmonë kështu. Deri në shekullin e XIX, Zvicra ishte një vend bujqësor i varfër. Për të mbijetuar qytetarët e saj shkonin gjetiu, angazhoheshin si mercenarë ose shtëpiakë në vende tjera. Domethënës fakti se  nëse paragjykimi i sotëm, është për portugezët si rojtarë ndërtesash, tek Balzaku, ishte zvicrani ai që e kryente këtë funksion.

Kontributi i parë i emigracionit në Zvicër daton që në shekullin XVI me arritjen e refugjatëve « huguenots »[1] të cilët i japin hov zhvillimit të industrisë së tekstilit dhe të orëve.

Një lëvizje e dytë e rëndësishme shënohet në fillim të shekullit XX gjatë ndërtimit të tuneleve dhe infrastrukturës së madhe kombëtare. Në atë kohë, vendi i bën ballë nevojës për punëtorë në kantiere duke punësuar puntorë të shumtë italianë. Zvicra angazhon punëtorë edhe në bujqësi. Ndërsa sa i përket ekonomisë shtëpiake, vërehet një dyndje e grave gjermane dhe austrikae ( 450’000 gra në vitin 1958). Por të huajt janë më pak të pranishëm në industrinë bankare, të tregëtisë dhe të arsimit. Të përkujtojmë që « frontalierët » (punëtorët që banojnë në anën tjetër të  kufirit) nga Gjermania, Austria dhe Franca kanë qenë gjithmonë pjesë e peizazhit migrues.

Të huajt mund të vijnë të punojnë, por jo edhe të vendosen  

Në vitin 1921 Këshilli Federal vlerëson që « nuk ka asgjë kundër fluksin e të huajve, por me kusht që ata mos të vendosen »[2]

Ky mesazh ruan peshën e tij gjatë dekadave në vijim : emigranti ideal është ai që vjen të punojë, që vë disa para mënjanë dhe kthehet. Në këtë kontekst, as që diskutohet për integrimin. Nëse të huajt qëndronin, ata duhej të shkriheshin me masën, të asimiloheshin dhe të linin pas atavizmat e tyre kulturorë. « Një ndryshim i kulturës tek  emigrantët konsiderohej si një domosdoshmëri për pranimin e tyre në kontesktin e ri » (Warner et Srole 1945) [3].

Valët ndjekin njëra tjetrën : Italianët, Spanjollët, Jugosllavët, Shqiptarët, Turqit…

Prej 20 vitesh, emigrantët nuk paraqesin më vetëm fuqinë punëtore mashkullore të pa kualifikuar. Origjinat gjeografike janë më të largëta dhe profili sociologjik i shumëllojshëm. Të ardhurit e rinj kanë shpesh një kualifikim terciar dhe kanë një afirimim të përkatësisë së identitetit. Dekodimi kulturor bëhet më i vështirë, mirëkuptimi dhe ndjeshmëria po ashtu.  Veprimet interaktive mes emigrantëve dhe vendorëve bëhen po ashtu komplekse. Politikat moderne, tentojnë të vlerësojnë diferencën.

Eshtë me rëndësi të thuhet, që duke mos qenë një trup monolitik, emigranti personifikon diferencën në të gjitha dimensionet sociale, kulturore, të përkatësise, gjinisë, kodeve dhe të funksionimit. Interaksionet janë të paevitueshme dhe identiteti kulturor në ndryshim të vazhdueshëm. Filozofi Jeremy Waldron vlerëson që mjedisi kulturor nuk duhet të jetë patjetër një lloj korpusi kanonik i veçantë i vendit. Përkundrazi, pluralizmi i praktikave reflektohet në referencat kulturore që një individ do të mobilizojë për të krijuar një ndjenjë përkatësie. Sipas, Johan Rochel, është tërësia e qytetarëve që zgjedh dhe farkëton kulturën kolektive.

Procesi integrues në  planin afatgjatë

Kjo kulturë kolektive na çon drejt nocionit të integrimit, i kuptuar ndryshe sipas tendencave politike dhe interesave të folësve. Ne Komisionin Federal për Emigracion (CFM/ EKM) proceset integruese shihen si « mjete per të arritur një barazi te shanceve që nuk kanë të bëjnë vetëm me individin, por edhe me kushtet e parpara të shoqërisë…[4]

Kjo shpreh nevojën e një vullneti politik për integrim. Pa procesin integrues, shoqëria rrezikon të humbë vijat drejtuese, të neglizhojë barazinë në mesin e popullatës. Integrimi është i nevojshëm për mirëqenien e emigrantëve, por edhe më gjerë, për gjithë shoqërinë.

Elementet e domosdoshme për një politikë integruese të suksesshme tregojnë kushtet e qëndrueshme të vëna në dispozicion për migrantët, pranimin ose përjashtimin nga shoqëria, ekzistencën e alternativave të hapura në tregun e punës ose të formacionit si dhe miksitetit social. Nëse migracioni konsiderohet si një etapë kalimtare dhe e përkohshme, përpjekjet për projektimin në jetën sociale janë më të pakta, siç është rasti i punonjësve ndërkombëtare të rangut të lartë.  Nësë në të kundërtën ka një projekt për t’u vendosur gjatë, njeriu nxitet të jetë pjesë e peizazhit dhe të bëhet njësh me të. Mbetet që të realizohet marrja në konsideratë nga  shoqëria pritëse : kjo realizohet përmes ndërnjohjes.

« Pas mjegullës fshihet ujku » thotë proverbi. Me qëllim të eliminimit të paqartësisë, të fashitjes së mjegullës, do duhej bërë e mundur ndërnjohja. Kështu, nuk do të kishim nevojë më të thërrasim « ujkun » sepse ndërnjohja bën që të zhduket frika dhe përcakton ndërtimin e qytetarit zvicran, me ose pa pasaportë të kuqe me kryq të bardhë. Eshtë thelbësore që ne të merremi me këtë çështje. Me qëllim të furnizimit dhe respektimit të barazisë së shanseve, shoqëria në tërësinë e saj duhet të pranojë të ndërtojë këtë patchwork të kulturave dhe të kodeve që kanë për bazament të përbashkët vlerat njerzore.

Emigracioni mund të jetë gjithashtu shpresë dhe dije

Emigracioni është një proces kompleks. Ai është humbje, ndarje, tradhëti, ikje, vetmi, pikëllim për veten dhe të tjerët… Të gjithe këta elemente ndikojnë  në të ardhmen jetësore në vendin pritës. Por migracioni mund të jetë edhe takim, sukses, shpresë, zbulim, dashuri. Emigrantët nuk vijnë në Zvicër të zhveshur nga çdo dije ose përvojë. Çdo individ posedon një seri kapacitetesh, talentesh dhe kualifikimesh që përbëjnë » potencialin e tij » [5], pavarësisht origjinës së tij.

Ata që jetojnë dhe punojnë në Zvicër kontibojnë në ekonominë e vendit, kontribojnë në ngadalësimin e plakjes së popullsisë dhe sjellin kontribut kolateral sikur tatimet, kontributet pensionale AVS, shtesat fëmijrore etj.

Sipas Philippe Wanner, drejtor Institutit për Studime Demografike në Universitetitn e Gjenevës imigracioni paraqet një atu pasi krahu i punës së huajve, në një farë mase, është « importuar në funksion të nevojave » [6].

Kompetencat e përmendura më lart janë të domosdoshme për Zvicrën. Një Shaqir, Behram, Antonio Lopreno, një Elina Duni, Sarah Springmann, edhe të tjerët, ata dhe ato që i takojmë në spitale, fusha, kantiere, universitete, edhe të tjerë që veprojnë me kontratat e lagjeve, partitë politike, këshillat në klasa të shkollave, që bëjnë punë të interesit të përgjithshëm në mënyrë vullnetare, të gjithë janë pjesë e trashëgimisë zvicrane. Mirënjohja e ekzistencës së potencialit të emigrantëve do të mundësonte një kohezion sociale më të mirë. Integrimi do të realizohej më mire dhe efektet ekonomike, në mesin e prurjeve tjera, veçse do të rriteshin.

Mirënjohja, fjalë kyçe e bashkëjetesës në harmoni ?

Në vend të injorimit, të nënvlerësimit, ekonomia dhe shoqëria në përgjithësi do të mund të përfitonin nga këto kompetenca duke pranuar prurjen historike dhe, në mënyrë më pragmatike, titujt dhe njohuritë.  Eshtë nevojë dhe domosdoshmëri  ridefinimi i një politikë, ku kërkues azili dhe të larguar nga atdheu, punëtorë pak të kualifikuar dhe « ikje të trurit » do të konsideroheshin në mënyrë të barabartë në fushën e integrimit dhe të shanseve të barabarta.

Personat që vijnë në Zvicër përkohësisht ose për kohë të gjatë, që vendosen këtu, do të mund t’i kontribonin më mirë të jetuarit bashkë duke qene pjesë e një trupi, pa margjinalizim dhe privilegje. Shoqëria do te mund të krijonte një terren të favorshëm dhe të furnizonte kështu kushtet e parapara për një ushtrim më të mirë të përgjegjesive individuale dhe kolektive.

Njohja, nga një anë e kualifikimeve të atyre që i posedojnë dhe nga tjetra anë ngritja e kualifikimeve do të kontribonin zhvillimin e gjithë shoqërisë.

Nuk është trashëgimia aq më pak gjaku që rrjedh në venat tona, që e përbëjnë Zvicrën. Janë vlerat që ndajmë, kultura jonë e përbashkët, që mbesin në themelet e bashkëjetesës sonë. Toka helvetike ushqen këtë harmoni ngjyrash. Duke i rritur kapacitet tona për bashkëndërtim, ne rrisim shanset tona për të jetuar mirë me njëri tjetrin.

Si përfundim, ne nuk definohemi në raport me tjetrin, me të huajin, por në raport me vlerat që ndajmë.

Shkrim i botuar në reiso.org



Vepra të tjera të konsultuara :

  • Johan Rochel (2016), Repenser l’immigration, une boussole éthique, Lausanne, presse polytechniques et universitaire romandes, Collection Le savoir suisse
  • Joahn Rochel (2015), La Suisse et l’autre plaidoyer pour une Suisse libérale, essai, Genève, Ed. Slatkine
  • Jean-Claude metraux (2004), Deuil collectif et création sociale, Paris, Ed la Dispute
  1. Warner, W.L. et L. Srole (1945) The social Systems of American Ethnic Groups. New Haven : Yale university Press
  2. Déclaration de principe et recommandations de la CFM document et format pdf
  3. CFM en ligne
6 Terra Cognita (18 novembre 2013) en ligne
7 CFm en ligne

[1] 1. Shihni Musée virtuel du protestantisme en ligne
[2]  Etienne Piguet (2009), L’immigration en Suisse, 60 ans d’entrouverture, Lausanne, Presse polytechnique et universitaire romandes, Collection le savoir suisse, 2ème édition, p.19
[3]  Warner, W.L. et L. Srole (1945) The social Systems of American Ethnic Groups. New Haven : Yale university Press
[4]  Déclaration de principe et recommandations de la CFM document et format pdf
[5]  CFM en ligne
[6] Terra Cognita (18 novembre 2013) en ligne

KUJDES ! TEKSTI YNË I KOPJUAR DO TË DENONCOHET DHE RAPORTOHET. PËRPOS NËSE...

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e albinfo.ch dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://www.albinfo.ch/perfytyrojeni-shoqerine-me-elementin-migracion/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin. Redaksia e albinfo.ch.