E-Diaspora

Përkujtohet me pietet vepra e tre akademikëve të shquar

Lidhja Shqiptare në Botë dhe Këshillimorja ABSM nga Bazeli kanë organizuar Akademinë Përkujtimore në nderim të veprës së akademikëve: Mark Krasniqi, Pajazit Nushi dhe Esat Stavileci

Përvjetori i vdekjes së tre akademikëve të shquar nga Kosova: Mark Krasniqi, Pajazit Nushi dhe Esat Stavileci, i ka shërbyer Lidhjes Shqiptare në Botë dhe Këshillimores ABSM nga Bazeli si shkas për organizimin e Akademisë Përkujtimore, të shtunën që shkoi, në Langenthal. Në sallën e hotelit Bären, aty ku tre akademikët vetëm para pak vitesh kishin mbajtur takimet e tyre me bashkatdhetarët, tash, bashkëpunëtorët e tyre po evokonin kujtimet për ta. Një situatë e ngarkuar me emocione të dhembjes dhe të pietetit për personalitetet e shquara, që kanë ndërruar jetë në një hark kohor prej vetëm 2 javësh.

Nga Zagrebi kishte ardhur kryetari dhe bashkëthemeluesi i LSHB-së, Simon Kuzhnini, nga Kosova, kryetari i LSHB-së për Kosovë, Shaban Arifaj dhe nga Gjermania, Sebastian Nuiqi, kryetar i LSHB për Gjermani. Ndërsa aktivitetin e kanë nderuar me praninë dhe fjalët e tyre përshëndetëse edhe ambasadori i Shqipërisë në Bernë Ilir Gjoni dhe ambasadorja e Kosovës, Nazane Breca.

Përmes filmimeve të shkurtra janë paraqitur segmente nga rrëfimet jetësore të tre akademikëve të nderuar. Aty janë përvijuar profilet njerëzore dhe profesionale të tyre dhe sigurisht, kontributi i tyre në zhvillimet politike të Kosovës gjatë disa dekadave të fundit.

Akademik Mark Krasniqi, më i vjetri ndër tre të përkujtuarit, u cilësua nga folësit si njëri ndër prijatarët e arsimit dhe shkencës në Kosovë dhe ndër më meritorët në të gjitha zhvillimet politike atje, nga vitet `60 e këndej. Ai, siç u tha edhe nga ambasadorja e Kosovës në fjalën e saj, ishte ndër themeluesit e Universitetit të Prishtinës. “Ndërsa për qëndrimin e tij çdoherë në anën e popullit, qysh në vitin 1981 u përjashtua nga puna për arsyen e vetme se nuk pranoi t`i denonconte si armiqësore demonstratat e studentëve”.

Ambsadorja Breca u ndal edhe në portretimin e akademikëve Pajazit Nushi dhe Esat Stavileci, të cilët i vlerësoi lart për meritat e tyre të mëdha në historinë më të re të Kosovës dhe të shqiptarëve.

Duke marrë fjalën në foltore, ambasadori i Shqipërisë në Bernë, Ilir Gjoni është angazhuar për nderimin që u takon tre akademikëve dhe personaliteteve tjera meritorë, edhe në diasporë. Por, ai ka shtuar se nderimi bëhet më i plotë kur ne atë e bartim te brezi i ri, që po rritet në mërgim. Prandaj, vetëm duke e forcuar mësimin plotësues në gjuhën shqipe küëtu në Zvicër, ne mund ta quajmë të realizuar detyrimin ndaj personaliteteve të përmendura, ka thënë veç tjerash Gjoni.

Në emrin e organizatorit, Nazmi Jakurti, kryetar i LSHB për Zvicër ka bërë një përmbledhje të punës së organizatës që drejton. Ai ka theksuar se vizionet e LSHB-së, të shprehura që në fillim të viteve të nëntëdhjeta të shekullit të kaluar, gradualisht po vijnë duke u jetësuar. Një prej tyre është, ka thënë Jakurti, është realizimi i abetares së përbashkët për Shqipërinë dhe Kosovën. Një hap tjetër që pjesërisht po jetësohet është bashkimi i përfaqësive diplomatike të Kosovës dhe të Shqipërisë. Meritat për platformën e LBSH-së, ka theksuar më tutje Jakurti, u takojnë në radhë të parë kolosëve të shkencës shqiptare, siç i ka cilësuar ai, Krasniqi, Nushi dhe Stavileci. Nazmi Jakurti ka evokuar takimet e shumta gjatë vizitave që tre akademikët kanë zhvilluar në Zvicër dhe pikërisht në Langenthal, në sallën ku po mbahej akademia përkujtimore.

Kryetari dhe themeluesi i LSHB, Simon Kuzhnini në fjalën e tij të gjatë ka vlerësuar lart veprën e tre shkencëtarëve dhe veprimtarëve në shërbim të kombit. Ata, me personalitetin e tyre kanë imponuar respekt te të gjithë shqiptarët. Kuzhnini u ka njohur tre akademikëve edhe meritën për angazhimin e tyre të guximshëm e vizionar që gjatë kohës së socializmit. Sipas tij, ata së bashku me të tjerë, kanë kundërshtuar me argumente tezat serbomëdha sipas të cilave shqiptarët në ish Jugosllavi ishin ardhacakë. Ata kanë argumentuar të kundërtën, duke u mbështetur në fakte shkencore, se shqiptarët jetonin në këto troje prej shumë shekujsh.

Më tutje Simon Kuzhnini ka thënë se edhe veprimtarinë atdhetare të tij dhe të vëllait, Mikelit të filluar me ngritjen e Flamurit Shqiptar në vitin 1968 në Prizren, ia detyron frymëzimit nga intelektualët e atëhershëm atdhetarë si Mark Krasniqi me shokë.

Në fjalën e tij Kuzhnini është angazhuar për më shumë bvashkëveprim në mes të institucioneve të dy shteteve shqiptare. Mes tjerash ai ka kërkuar bashkimin nën një kulm të dy akademive, asaj të Shqipërisë dhe të Kosovës.

Skënder Nikoliqi në emrin e ABSM Bazel në fjalën e tij ka thënë se ndjehet i privilegjuar që ka pasur rastin të jetë pranë tyre dhe t`i shoqërojë sa herë që tre akademikët kanë pasur vizita pune në Zvicër. “Ata, me jetën, veprën dhe kontributiun e tyre gjysmëshekullor u bënë personalitete të shquara të kulturës, shkencës dhe studimeve mbarëshqiptare”, ka thënë veç tjeash Nikoliqi.

Shaban Arifaj, kryetar i LSHB për Kosovë ka lexuar një referat kushtuar veprës së tre personaliteteve të shquara të shkencës dhe botës shqiptare në përgjithësi. Ai me këtë rast është fokusuar më shumë në punën e tyre me mediet dhe për mediet, pasi që dihet se ata, veçanërisht Mark Krasniqi dhe Esat Stavileci, në fillimet e tyre kanë punuar edhe si gazetarë.

Me fjalë përshëndetjeje është paraqitur edhe Sebastian Nuiçi, kryetar i LSHB në Gjermani. Ai ka evokuar kujtimet për takimet e zhvilluara me tre akademikët e ndjerë, duke i vendosur ata në piedestalin më të lartë të shkencës, kulturës dhe atdhetdashurisë.

Nënkryetari i ABSM Basel, Beskim Pajaziti ka lexuar një letër përshëndetjeje nga kryetari i LSHB për Maqedoni, Shpend Bajrami, i cili nuk ka pasur mundësi të vinte në akademi. 

Në emrin e LAPSH “Naim Frashëri” ka folur Riza Demaj, i cili krahas nderimit për tre personalitetet e shquara ka apeluar për më shumë punë në forcimin e mësimit plotësues në gjuhën shqipe në Zvicër. Vetëm kështu, duke ua mësuar fëmijëve tanë gjuhën amtare dhe kulturën e kombit, do të mund të sigurohemi se do të nderohen edhe kontribuuesit e mëdhenj, si ata që po përkujtohen në këtë akademi.

Nxënësja Eneda Kadriu me disa pika muzikore në piano dhe babai i saj, Agimi me piano e këndim, kanë fisnikëruar aktivitetin në sallën barok të hotelit Bären në Langenthal. Mbresëlënëse ka qenë sidomos Eneda, me virtuozitetin e saj të treguar gjatë ekzekutimit të pikave muzikore komplekse nga literatura e muzikës klasike.