Shqipëria

Përmbytjet në Shkodër, përkeqësohet gjendja  

Bashkia e Shkodrës njofton se pasditën e sotme situat nga përmbytjet është përkeqësuar pasi është dyfishuar sipërfaqja e mbuluar nga uji e që është rreth 4215 hektara tokë e përmbytur.

Në njoftim thuhet se sasia e madhe e ujit po përparon  drejt qytetit. “Në zonën e Livadheve janë të përmbytura 110 ha. Pas inspektimeve më të fundit rezulton se në rrugën Et‘hem Kazazi ka prezencë uji dhe në një segment rruge ka vështirësi kalimi. Në këtë rrugë ndodhen mbi 40 shtëpi me prezencë uji afër oborreve të tyre dhe nga këto 4 familje mbajnë bagëti, ku si pasojë e fushave të përmbytura paraqiten vështirësi në sigurimin e ushqimit për to.

Këto familje furnizohen me ujë të pijshëm nepërmjet puseve dhe ky paraqitet si problem”, thuhet në njoftim. Situata mbetet kritike në shumë fshatra të këtij qarku, ndërsa rrugët kalohen vetem me gomone dhe me mjetet e rënda të ushtrisë.