Lajme

Përmes sportit të njihet Pavarësia e Kosovës

Kosova për herë të parë do të marrë pjesë në Lojërat Olimpike dhe në pjesëmarrjen e parë do të garojë me tetë sportistë

Kryetari i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani ka deklaruar se pjesëmarrja e Kosovës në Lojërat Olimpike “Rio 2016” në Brazil, mund të bëjë që ky shtet të ndërrojë mendje për njohjen e Kosovës, shkruan albinfo.ch.

Kosova për herë të parë do të marrë pjesë në Lojërat Olimpike dhe në pjesëmarrjen e parë do të garojë me tetë sportistë. Ai ka thënë se pasaportat e anëtarëve të kryesisë së KOK-ut si dhe të sportistëve janë njohur nga ky shtet.

“Ministria e Jashtme e Brazilit ka njoftuar të gjitha ambasadat se ka njohur pasaportat e Kosovës dhe e gjithë bota do të na shikojë me kureshtje në ‘Rio 2016’”, ka thënë Hasani.

“Në mënyrë direkte apo indirekte sporti mund të ndikojë në atë se a do ta njohë Brazili, Kosovën apo jo”, ka shtuar ai.

Kosova ende nuk është njohur nga shumë shtete, në mesin e tyre Ukraina e Rusia, derisa ndeshjet ndërmjet Kosovës dhe Ukrainës në futboll e basketboll pritet të zhvillohen në terren neutral.