Kosova

Përmirësohet furnizimi me barna në Kosovë

Ministri i Shëndetësisë ka raportuar në Komisionin Parlamentar për Shëndetësi lidhur me blerjen e barnave pa kontratë.

Ministri kosovar i Shëndetësisë ka raportuar në Komisionin Parlamentar për Shëndetësi lidhur me blerjen e barnave pa kontratë.

Ai ka thënë se kur ka marrë detyrën e ka gjetur këtë dikaster me 70% të barnave të blera pa kontratë. Ministri ka raportuar aty pasi të dhënat për blerje pa kontratë u bënë të ditura në raportin e fundit të auditoritq që nxiti reagime të mëdha.

Ismajli ka thënë se tash rreth 65 për qind e produkteve kanë kontratë, ndërsa për  24 për qind tha se janë në procesin e vlerësimit. Ai ka thënë se pas kontrollit për këto shkelje ata kanë kursyer 1 milion euro të buxhetit të kësaj ministrie.  “Në dhjetor të vitit 2017 ka qenë mungesa e madhe e barnave dhe barna pakontratë. Ne si qeveri e re kemi ardhur në shtator dhe kur është bërë analizimi 70% e barnave në Ministrinë e Shëndetësisë nuk kanë pasur fare kontratë. Lista esenciale revidimi ka qenë një vullnet i të gjithëve në sektorin e shëndetësisë për të bërë këtë sepse ka mbetur për një kohë të gjatë pa pasur nevojë”, ka thënë ministri.

Ndërsa deputetet e opozitës e kanë kritikuar ministrin për mos mbajtje të premtimit të tij për furnizim me barna për 100%. Edhe deputeti i PDK-së Bekim Haxhiu parti nga e cila është edhe Ministri pati kritika sidomos për çështjen e insulinës. Haxhiu tha se është i shqetësuar  me barnat të cilat hynë në Kosovë e që kanë origjinë nga vendet që nuk e njohin shtetin.