Integrimi

Përparim Avdili në “Top 5” të FDP-së në zgjedhjet për Parlamentin e Cyrihut

“Duke qenë në top 5 dhe si kryetar dege i FDP-së, kësaj radhe gjasat janë më të mira që të futem drejtpërdrejt në kuvend”, thotë për albinfo.ch Përparim Avdili.

FDP e qarkut të 9 të Cyrihut ka nominuar kandidatët nga ky qark për zgjedhjet që do të mbahen më 4 mars 2018 për Kuvendin (Asamblenë) e Qytetit të Cyrihut. Pos dy këshilltarëve të deritashëm, Albert Leiser dhe Marcel Müller, në listë janë edhe 14 kandidatë tjerë. Por, dega e liberalëve të këtij qarku, ka përzgjedhur në këtë mes edhe “top pesëshin” e kandidatëve më të favorizuar. Në mesin e tyre, me një bazë të mirë startimi është edhe Përparim Avdili, i cili kohë më parë qe zgjedhur kryetar i FDP-së për këtë qark (albinfo.ch ka informuar)

“Duke qenë në top 5 dhe si kryetar dege, kësaj radhe gjasat janë më të mira që të futem drejtpërdrejt në kuvend”, thotë për albinfo.ch Përparim Avdili.

Ndonëse deri në zgjedhje ka mjaft kohë, FDP 9  e fillon fushatën qysh këto ditë. Të premten, më 30 qershor faqja në internet e kësaj partie nis të bëjë fushatë me dizajn të ri për një politikë liberale në Cyrih.

Politikani 29 vjeçar punon në sektorin bankar. I lindur në Llojan të Kumanovës, Përparimi është rritur në Altstetten (Cyrih), që bën pjesë në qarkun e 9-të të Cyrihut.

Në vitin 2015 ai ka kandiduar për deputet në Parlamentin e Kantonit të Cyrihut, me ç`rast ka arritur të jetë zëvendësimi i parë i deputetit të zgjedhur në qarkun zgjedhor II.

Politikisht Avdili angazhohet për Cyrihun si një qendër të fortë ekonomike dhe po ashtu për një politikë liberale dhe largpamëse migracioni.

Përveç si politikan i FDP-së, Përparim Avdili është mjaft i njohur edhe për angazhimet e tij në komunitetin shqiptar të Cyrihut dhe të gjithë Zvicrës. Ai merr pjesë në shumë aktivitete që organizojnë shqiptarët e këtushëm dhe është aktiv në mjaft nisma dhe projekte që kanë të bëjnë me migracionin.

albinfo.ch ka përcjellë paraqitjen edhe ngritjen e Avdilit në skenën politike të Cyrihut dhe në aktivitetet tjera të tij, që nga fillimi përmes intervistave dhe deklaratave që ka marrë nga ai.