Integrimi

Përparim Avdili zgjidhet në Asamblenë e Cyrihut si shqiptari i parë në këtë post

"1777  vota i kam fituar", thotë Avdili për albinfo.ch, i kënaqur me rezultatin. Ai thekson me këtë rast se është shqiptari i parë që deri tash ka arritur të zgjidhet në Parlamentin e qytetit të Cyrihut

Përparim Avdili, kandidati nga FDP, ka fituar në zgjedhjet që u mbajtën sot për Asamblenë e qytetit të Cyrihut. Ai është prej kohësh aktiv në partinë e përmendur ndërsa prej më shumë se një viti, edhe kryetar i saj për qarkun 9 të Cyrihut.

“1777  vota i kam fituar”, thotë Avdili për albinfo.ch, i kënaqur me rezultatin. Ai thekson me këtë rast se është shqiptari i parë që deri tash ka arritur të zgjidhet në Parlamentin e qytetit të Cyrihut.

albinfo.ch ka ndjekur në vazhdimësi veprimtarinë e Përparim Avdilit prej disa vitesh.

Avdili është me profesion punonjës banke ndërsa në politikën e Cyrihut dhe më gjerë ka bërë emër si politikan konsekuent në bindjet e tij liberale.

Ai është vetëm 30 vjeçar, i lindur në rrethin e Kumanovës, Maqedoni, ndërsa nga mosha njëvjeçare jeton në Zvicër, gjegjësisht në Cyrih.

Ka qenë kandidat edhe në zgjedhjet kantonale të Cyrihut dhe ato federale në vitin 2015, kur votat e fituara nuk i kishin mjaftuar për t`u zgjedhur, shkruan albinfo.ch. Avdili qe vënë në fokus të medieve zvicerane kur e kishte publikuar një video në të cilën kërkonte votën e shqiptarëve në gjuhën shqipe.