Integrimi

Përse kosovarët e kanë problem të depërtojnë në politikën e Zvicrës?

Artikulli rreket të gjejë arsyet për atë që e quan mungesë të depërtimit të të rinjve me prejardhje kosovare në politikën e këtushme, duke marrë si shembull rastin e kantonit Solothurn

“Kosovarët kanë vështirësi të bëjnë vend në politikën e Zvicrës” Këtë konstatim gazetari i gazetës “Solothurner Zeitung” e ka vendosur në titullin e artikullit të tij të zgjeruar të botuar sot. Kjo ka të bëjë me bazën e ulët të startimit, që nuk i favorizon ata, thuhet veç tjerash aty. Pastaj gazeta merret me portretet e disa të rinjve me prejardhje shqiptare kosovare të cilët kanë provuar veten në politikë por që për shkak të bazës së përmendur, nuk kanë arritur aty ku kanë synuar. Por ata nuk e kanë ndërmend të ndalen, angazhimi i tyre dhe optimizmi vazhdojnë, siç tregohet edhe në biografitë e tyre.

Artikulli rreket të gjejë arsyet për atë që e quan mungesë të depërtimit të të rinjve me prejardhje kosovare në politikën e këtushme, duke marrë si shembull rastin e kantonit Solothurn. Për gazetarin, mbetet e pakonstueshme se shqiptarët (kosovarët si ju referohet ai gjatë tekstit) kanë një imazh të keq në Zvicër. Dhe kjo ka të bëjë sidomos me “bandat shqiptare të drogës, që janë aktive që nga vitet 1990”

Njohësja e mirë e shqiptarëve, bashkautorë e një libri mbi shqiptarët e Zvicrës, Sarah Grettler. Ajo tregon se edhe para viteve `90 në Zvicër jetonin shumë shqiptarë, rreth 80 mijë dhe ata kishin një imazh të mirë, transmeton albinfo.ch. Ata kishin filluar të vinin që nga viti 1964, si shtetas të Jugosllavisë dhe fillimisht punonin në bujqësi e pastaj në ndërtimtari.

“Vitet e plumbta 1990”

Me kohë, fëmijët e brezit që emigroi në Zvicër filluan të ngarendin drejt politikës së këtushme. “Shpëtim Xhemaili (CVP). Kosovare Rrustemi (SP) dhe Përparim Rekaj (FDP) kanë kandiduar për zgjedhjet që u mbajtën gjatë marsit për Parlamentin e Kantonit, por nuk kishin shanse”. Kjo edhe kuptohet kur dihet se në fakt deputetë me prejardhje të huaj të zgjedhur në këtë parlament mund të numërohen me gishtërinj. Por për Sarah Grettler, përfaqësimi i ulët i kosovarëve në politikën e këtushme ka të bëjë me disa faktorë. Në veçanti ajo përmend “vitet e plumbëta 1990” nën pushtimin ushtarak, nën të cilin nuk kanë vuajtur grupet tjera të migrantëve në Zvicër siç kanë vuajtur shqiptarët. Pastaj kushtet nën të cilat kanë emigruar kosovarët kanë qenë shpesh të pavolitshme, përcjell albinfo.ch. Shumë prej tyre kanë ardhur pa dëshirë dhe bashkimi familjar shpesh ka ndodhur në mënyrë të ngutshme e konfuze. Nga këto arsye te kosovarët për shumëçka nevojitet kohë pak më e gjatë”.

Politikanët e rinj që portretohen në këtë artikull rrëfejnë për ardhjen e tyre në Zvicër, raportet me shoqërinë e këtushme, vështirësitë shtesë që kanë pasur ose kanë si të huaj të brezit të dytë. Ata të gjithë thonë se i përkasin shoqërisë zvicerane por kjo nuk e përjashton krenarinë për qenien e tyre shqiptare.

Nga CVP në SP

Herolinda Rexhepi për shembull, përshkruhet si një e re energjike që ka “brumë” për politikë. Ajo megjithatë nuk kishte arritur të zgjidhej në Parlamentin Nacional kur kishte kandiduar në vitin 2015 për CVP-në. Ajoflet në mënyrë të përsosur “schweizerdeutsch” dhe flet shumë por në mënyrë të reflektuar. Por thotë se nuk është pranuar mirë nga rrethi konservativ  i CVP-së kështu që tash ka kaluar në SP. Lidhur me paragjykimet si myslimane ajo thotë se më shumë ka pasur problem me myslimanët tjerë se sa me zviceranët. Kjo për faktin se në familjen e saj asnjëherë nuk ka qenë temë ndalimi i orëve të notit ose mbulimi i vajzave, transmeton albinfo.ch. Ajo flet edhe për motrën e saj Jetmirën, e cila para katër vitesh qe bërë temë për shtypin zviceran kur kishte postuar fotografinë e saj si ushtare e Zvicrës duke bërë shqiponjën me duar. Sipas Herolindës, motra e saj ka dashur të afirmojë integrimin e saj në shoqërinë zvicerane por është keqkuptuar. “Pak krenari për prejardhjen shqiptare është në rregull, por nuk duhet tepruar”, shton ajo.

Rrëfime të ngjashme tregojnë edhe Përparim Rekaj e Kosovare Rrustemi. Ata tregojnë se emri ose mbiemri i tyre shpeshherë paraqet pengesë që në fillim të kontakteve me zviceranë gjatë punës që bëjnë. Për këtë arsye u duhet mund i dyfishtë për të arritur diçka në këtë shoqëri. Për shembull Përparim Rekaj. Përkundër shanseve të këqija profesionale për shkak të emrit ai nuk e ka kërkuar fajin te të tjerët dhe çdo goditje që ka marrë e ka kthyer në stimulim për të ecur përpara. Sot ai është bashkëdrejtues i një firme me 25 punëtorë dhe politikan i ri i FDP-së. Në zgjedhjet e fundit ishte nga fundi i listës. Por nuk dorëzohet: “ky është vetëm fillimi”, thotë me optimizëm shqiptari 29 vjeçar i Zvicrës.

“Unë bëj pjesë këtu”

Te Kosovare Rrustemi, edhe ajo ish kandidate për zgjedhjet kantonale, emri tregon gjithçka. Votat që kishte marrë nuk kishin mjaftuar për t`u zgjedhur por ajo thotë se ky ishte vetëm fillimi. Sidoqoftë, në degën e partisë të komunës së saj Deredingen ajo kishte vendin e dytë për nga numri i votave. Kosovarja thotë se rrënjët familjare kanë rëndësi por vendi i saj është Zvicra, përcjell albinfo.ch gazetën zvicerane.

“Unë bëj pjesë këtu” thotë dhe tregon se edhe prindërit ia kanë kultivuar ndjenjën që të jetë e hapur dhe të mos mbyllet vetëm në rrethin e shoqërisë shqiptare. Megjithatë, edhe ajo ka rrëfimin e saj të problemeve me emrin. Me më shumë se 100 konkurrime nuk kishte mundur të gjente vend për zanat. “Unë e di se kjo ka të bëjë me prejardhjen time të huaj”, thotë ajo. Ndërkohë i është dashur të punonte tri vjet në një fabrikë paketimi deri sa më në fund kishte gjetur një vend në shkollën për punëtore administrate. Sot ajo është e angazhuar si zëvendës këshilltare në komunë, si anëtare e Komisionit për Zhvillim Shoqëror si  dhe punon në shumë projekte të ndryshme shoqërore.

KUJDES ! TEKSTI YNË I KOPJUAR DO TË DENONCOHET DHE RAPORTOHET. PËRPOS NËSE...

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e albinfo.ch dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://www.albinfo.ch/perse-kosovaret-e-kane-problem-te-depertojne-ne-politiken-e-zvicres/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin. Redaksia e albinfo.ch.