Integrimi

Përurohen librat e Hazir Mehmetit në Vjenë

Nën organizimin e Ambasadës së Kosovës në Austri, në bashkëpunim me Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Austri “Aleksandër Moisiu” dhe Shoqatën e Mësuesve Shqiptarë në Austri “Naim Frashëri”, në lokacionet e ambasadës u përuruan vepra me tregime “Kohëthyerja” e autorit Hazir Mehmeti dhe monografia social-pedagogjike “Krijues në diasporë – Hazir Mehmeti” e autorëve Prof. Dr. Musa Kraja dhe Emirjona Kraja

 

 

 

 

Për të shënuar pensionimin e mësuesit Hazir Mehmeti, Ambasada e Kosovës në Vjenë tuboi një numër të madh dashamirësh të librit, ku të pranishmit patën rastin dhe kënaqësinë të njihen me tregime të ndryshme dhe interesante nga autori Hazir Mehmeti, të tubuara në përmbledhjen e tij “Kohëthyerja”.

Programin e hapi znj. Zana Rugova, sekretare e parë e ambasadës, e cila pasi bëri të njohur shemën e mbarëvajtjes së mbrëmjes, theksoi se ndjehet tepër e nderuar, por dhe shumë e emocionuar, duke pasur parasysh se para saj gjendet një njeri që jetën i fali arsimit dhe edukimit të gjenaratave tona. Ajo i dhuroi në emër të ambasadës një mirënjohje z. Hazir Mehmeti. Më pas mësuesi Osman Ademi bashkë me Kreshnik Mehmetin, djalin e z. Mehmeti, me një videoprezantim përmes fotografive nga jeta dhe vepra e z. Hazir Mehmetit shpalosën para të pranishmëve një larmi të këndshme kujtimesh e përjetimesh nga e kaluara e z. Mehmeti. Grupi i mësuesve dhe kolegëve të mësimit në gjuhën shqipe të z. Hazir Mehmeti, në përbërje Osman Ademi, Miradije Berishaj, Ibrahim Hasanaj, Shefqet Gashi dhe Ina Arapi i ndanë atij një mirënjohje në emër të Shoqatës së Mësuesve Shqiptarë në Austri “Naim Frashëri”, si dhe i dhuruan disa dhurata me rastin e pensionimit. Një tregim nga vepra “Kohëthyerja” e lexoi znj. Kaltrina Durmishi.

Në emër të ambasadorit Ukelli, i cili për arsye objektive nuk qe i pranishëm në këtë mbrëmje, foli konsulli i Kosovës në Austri z. Imer Lladrovci. Ai pasi foli disa fjalë miradije për mësuesin Hazir Mehmeti, u përqëndrua pastaj në rëndësinë e mësimit shqip për fëmijët tanë në diasporë. “Ne për z. Mehmeti mund të flasim e flasim pa u ndalur, por ne atë e njohim dhe puna e tij dhe vepra e tij flasin vetë. Unë e falënderoj atë në emër të ambasadorit Ukelli, të ambasadës tonë këtu në Vjenë dhe të popullit tonë, për tërë angazhimin e tij dhe djersën e dhënë që fëmijët tanë të mësojnë gjuhën e prindërve të tyre.”, u shpreh z. Lladrovci.

Si gjithmonë i gatshëm për të përcjellur dhe përkrahur nga afër aktivitetet e bashkatdhetarëve në Austri, i pranishëm ishte ambasadori i Shqipërisë në Vjenë z. Roland Bimo. “Unë personalisht, po dhe ambasada jonë këtu në Austri dhe shteti shqiptar kemi konsideratë të madhe për punën dhe mundin që ju mësuesit shqiptarë  jepni për ruajtjen, kultivimin dhe zhvillimin e gjuhës shqipe, traditës sonë, kulturës dhe vlerave tona. Ne gjithmonë, sipas mundësive që kemi, do të jemi në anën tuaj, duke mbështetur aspiratat dhe qëllimet e përbashkëta në të mirën e gjeneratave tona të ardhshme. E përgëzoj mësuesin Mehmeti që arriti pensionimin dhe i dëshiroj jetëgjatësi, shëndet e gëzime”, tha z. Bimo.

Poeti Anton Marku, njëherësh kryetar i LSHKSHA “Aleksandër Moisiu”, bëri një vështrim mbi veprën “Kohëthyerja”. “Ky libër përbëhet nga 20 tregime të zgjedhura e të shkruara në periudha të ndryshme kohore. Titujt e tyre janë shumë të shkurtër, përmbajtjësorë dhe domethënës. Shumë prej tyre përbëhen nga një fjalë e vetme: “Porosia”, “Erëdredha”, “Ftesa”, “Hijezeza”, “Lypësi”, “Kohëthyerja”, “Shëngjergji”, “Hetuesi”, “Shtegtimi”, “Arkivoli”, “Busti”etj. Kjo bën që lexuesi që në titull të përceptojë deri diku përmbajtjen e tyre. Ato sikur i përshkon lajtmotivi i vetëm: Dashuria për vendlindjen dhe njerëzit e saj nëpër kohëthyerjet kobzeza. Skeleti i tyre është real historik, i veshur shumë mirë me petkun letrar, kjo duke iu falënderuar edhe imagjinatës së autorit. Në këto tregime hetohen elementet jetësore, përjetimet e vetë autorit apo ngjarjet nga rrëfimet e të parëve të tij, me historinë e mësuar nëpër kullat tona. Ato na ofrojnë një panoramë të realitetit të hidhur, por krenar, të gjithë historisë sonë kombëtare.”, tha z. Marku.

Për monografinë “Krijues në diasporë – Hazir Mehmeti”, foli shkrimtari Besim Xhelili. Ai në fillim theksoi se autori i kësaj monografie Prof. Dr. Musa Kraja para disa javësh kishte ikur në amshim, dhe me këtë rast i shprehu z. Hazir Mehmeti ngushëllimet e tij. “Filozofi dhe mendimtari i madh romak Seneka thotë se: “Shpesh një njeri në moshë nuk ka asnjë dëshmi të jetëgjatësisë së vet, përveç viteve të tij”. Sigurisht se kjo thënie ka një domethënie të madhe, kur kemi parasysh se z. Musa Kraja para gati dy javësh iku në amshim dhe përveç viteve të tij të jetës si një dëshmi e jetëgjatësisë së tij, ai la pas një punë të madhe krijuese dhe një ndër veprat e tij të fundit, pra monografinë mbi mikun tonë Hazirin. Ne mburemi sot me mikun tonë Hazirin, i cili gjithashtu, nuk ka arritur vetëm me vitet e tij pensionimin, por ka në bagazhin e tij një të kaluar të çmuar, të pasur, të ndërtuar përditë nga pak, në vende dhe në forma të ndryshme. Pra, ai është antiteza e thënies së Senekës, ngase puna e tij flet vetë, ai tashmë 40 e tepër vjet ka derdhur djersën e tij për kombin, kulturën, gjuhën, identitetin tonë, mësimdhënien, dhe prezantimin e këtyre vlerave para austriakëve dhe të tjerëve që jetojnë këtu në Austri.”, u shpreh më tutje z. Xhelili, i cili si kryetar nderi i LSHKSHA “Aleksandër Moisiu”, z. Mehmeti i ndau një mirënjohje në emër kësaj Lidhjeje.

Këtë përurim e madhështuan me praninë e tyre shumë bashkatdhetarë të profileve të ndryshme si kryetari i Unionit të Bizneseve Shqiptare në Austri z. Yll Blakaj, artisti Astrit Alihajdaraj, studiuesja çame Shpresa Musaj, shkrimtarët Violeta Allmuça dhe Mërgim Osmani, piktorët Iliriana Ajeti dhe Petrit Hysaj, ish futbollisti Vahedin Ajeti, përfaqësues shoqatash shqiptare në Austri dhe të Këshillit Koordinues të Shoqatave Shqiptare në Austri etj.

Në fund, në fjalën e tij të shkurtë, njeriu i mbremjes z. Hazir Mehmeti tha se atij i mungojnë fjalët, pas asaj që u fol e u hodh në sallë për të dhe rreth jetës e veprës së tij. Ai u shpreh mirënjohës ndaj të gjithë të pranishmëve, atyre që bashkëorganizuan këtë përurim dhe në veçanti ndaj ambasadës dhe ambasadorit z. Ukelli. Ai falënderoi gruan e tij dhe familjen për durimin, mbështetjen dhe përkrahjen e vazhdueshme që i japin. “Jam tepër i nderuar, kam emocione dhe jam shumë i zënë ngushtë shpirtërisht, kur shoh sa njerëz të mirë kam rreth vetes, e që dua secilin veç e veç ta falënderoj. Unë gjithmonë në punën time jam munduar që të fus në mendjet e fëmijëve mesazhin e të parëve tanë, rilindësve tanë: mos të shihet interesi personal, por ai kombëtar së pari”, tha z. Mehmeti.

Në përmbyllje të programit, gjatë koktejit me ushqime të shumta tradicionale shqiptare që kishte sjellur familja Mehmeti, të pranishmit patën rastin të marrin librat e nënshkruara nga autori dhe të shkëmbejnë fjalë mes veti.