E-Diaspora

Pirgu në ballinën e revistës zvicerane: “Unë jam ende këtu!”

“Po unë jam një njeri i lumtur dhe e shijoj jetën time. Dhe unë jam i vetëdishëm për atë çfarë më jep dhe mundëson puna ime. Për shembull, ma bën të mundur të njoh gjithë botën. Prandaj, rreth vështirësive dhe kufizimeve të cilat profesioni ynë i sjell me vete, nuk dua të ankohem..."

Ka qenë ende fare i ri kur është angazhuar nga Claudio Abbado, menjëherë pastaj bëri karrierë dhe tash, 16 vite më pas, ai gjatë gjithë kohës është i kërkuar në të gjitha skenat e  mëdha botërore. E gjithë kjo ndodh kur Saimir Pirgu është ende vetëm 36 vjeçar.

Kështu e fillon intervistën e gjatë me tenorin e madh shqiptar Saimir Pirgun, revista mujore zvicerane “Musik&Theater”. Portreti i Pirgut e mbush gjithë ballinën e revistës, një tregues ky për reputacionin e madh që artisti ynë i famshëm dhe ende i ri, e gëzon si në gjithë botën, edhe në Zvicër.

Në këtë intervistë Pirgu përballet me pyetje lidhur me profilin e tij prej këngëtari të operës, stilin dhe repertorin që parapëlqen, rolet e mëdha nga literatura botërore e operës që ai u ka dhënë jetë në skenë, rrjedhat aktuale në skenën botërore të operës, ndryshimet që kjo skenë po përjeton etj., shkruan albinfo.ch. Por në fokus të intervistës, duke qenë se ai flet për një revistë zvicerane, është patjetër përvoja e tij e pasur me skenat zvicerane të operës. Dhe kur bëhet fjalë për këto skena, Pirgu ka mjaft çfarë të tregojë.

Kështu, ka qenë pikërisht Berna, vendi ku ai ka përjetuar një përvojë krejtësisht unike në karrierën e tij. Në vitin 2008 Pirgu ka qenë pjesë e një eksperimenti artistik shumë të suksesshëm, me ç`rast opera “Böheme” qe inskenuar në një rrokaqiell të Bernës dhe qe transmetuar me kamera. E veçanta e kësaj “skene” ka qenë, thotë Pirgu te fakti se orkestra ka qenë e vendosur në një qendër tregtare, më tutje ndërsa komunikimi me të, është bërë përmes kufjeve, transmeton albinfo.ch. Ai e veçon këtë përjetim si diçka që nuk i ka ndodhur kurrë më herët ose më vonë gjatë karrierës së tij të bujshme.

Disa vite më pas, një përvojë të ngjashme por jo kaq sfiduese, Pirgu e ka pasur edhe në Cyrih. Jo në skenën klasike të Operës së këtij qyteti, me të cilën ka po ashtu një bashkëpunim të dendur, por në Stacionin Kryesor Hekurudhor të Cyrihut. Këtu ai ka luajtur po ashtu rolin kryesor në operën “La Traviatta”, ndërkohë që pasagjerë të shumtë e ndiqnin atë dhe protagonistët tjerë nga njëra skenë e improvizuar te tjetra…

Nisur nga këto dy përjetime jokonvencionale dhe nga dhjetëra paraqitje në skenën klasike të operës së Cyrihut, Saimir Pirgu thotë se e vlerëson shumë lart publikun e këtij qyteti dhe atë zviceran në përgjithësi. Kjo, për faktin se, siç e thotë ai, një publik i tillë e njeh në thellësi operën dhe di çfarë kërkon nga ajo. Këtij publiku shijen ja kanë gëdhendur shfaqjet e shumta me artistë të mëdhenj nga e gjithë bota, që kanë qenë për dekada pjesë e skenës së Cyrihut.

Në përmbyllje të intervistës, Pirgu, i pyetur për lidhjen në mes të jetës private dhe asaj profesionale artistike, thotë e se e sheh veten si një njeri të lumtur, transmeton albinfo.ch. “Po unë jam një njeri i lumtur dhe e shijoj jetën time. Unë rrethohem gjithmonë nga pak njerëz, familja për mua domethënë shumë. Dhe unë jam i vetëdishëm për atë çfarë më jep dhe mundëson puna ime. Për shembull, ma bën të mundur të njoh gjithë botën. Prandaj, rreth vështirësive dhe kufizimeve të cilat profesioni ynë i sjell me vete, nuk dua të ankohem. Natyrisht çdo gjë e ka çmimin e vet por unë e konsideroj veten si njeri shumë të lumtur”.