Jeta në Zvicër

Pirmin Müller, SVP: Imazhi i shqiptarëve në Zvicër është përmirësuar

“Ndërkohë unë takoj edhe në partinë time numër në rritje të kosovarëve. Ata e shohin ardhmërinë e tyre në Zvicër dhe duan të marrin pjesë në formësimin e saj”, thotë Pirmin Müller, deputet i SVP-së në Kantonin e Lucernit

“Tashti imazhi i shqiptarëve sërish është përmirësuar. Sepse shumica e kosovarëve janë punëtorë të zellshëm dhe janë integruar si në shoqëri ashtu dhe në profesion. Ndonëse ky proces nuk është ende i përmbyllur, ai është në rrugë të mirë”, thotë Pirmin Müller, deputet kantonal i Lucernit në një intervistë për albinfo.ch. Müller ka vizituar pak kohë më parë Kosovën dhe nga atje është kthyer me përshtypje të mira.

Albinfo.ch: Cili ka qenë mendimi Juaj lidhur me shqiptarët para se të shkonit në Kosovë?

Pirmin Müller: Si katolik, unë në parim kam gjithmonë mendim të mirë për të gjithë njerëzit, derisa të mos bindem për të kundërtën- për sa u takon kosovarëve në përgjithësi: Unë kam rënë në kontakt me ta qëkur kam qenë fëmijë. Babai im në firmën e tij kishte të punësuar shumë kosovarë. Së këndejmi unë jam rritur me ta dhe ua njoh mentalitetin. Ne vazhdojmë të mbajmë edhe sot kontakte të mira me ish të punësuarit tanë.

Albinfo.ch: Kosovarët në Zvicër kanë një imazh problematik. A është bërë, sipas mendimit tuaj ky imazh më i mirë apo ai ka qenë gjithmonë i tillë por opinioni i këtushëm më parë nuk e ka vlerësuar si duhet këtë imazh?

P.M: Në kohën kur kosovarët vinin këtu si punëtorë sezonalë, ata kishin një imazh shumë të mirë sepse binin në sy me zellin e madh dhe gatishmërinë për punë. Por kur filloi lufta dhe kur në Zvicër emigruan një numër i madh i kosovarëve si refugjatë, kjo tablo u ndryshua. Kjo u kishte rënë në sy edhe punëtorëve të firmës tonë. Ata më janë ankuar shumë herë mua, si i ri që isha, se refugjatë të caktuar, po e shkatërrojnë namin e tyre të mirë. Kjo pasqyrohej edhe në artikujt e mediave, ku raportohej lidhur me “raser”-ët ose aktet e dhunshme.

Sot imazhi sërish është përmirësuar. Sepse shumica e kosovarëve punojnë me zell dhe janë integruar si në shoqëri ashtu dhe në punë. Ndonëse ky proces nuk është ende i përmbyllur, ai është në rrugë të mirë. Ndërkohë unë takoj edhe në partinë time numër në rritje të kosovarëve. Ata e shohin ardhmërinë e tyre në Zvicër dhe duan të marrin pjesë në formësimin e saj.

Unë do të kisha dëshirë që kosovarët në Zvicër të marrin më tepër përgjegjësi mbi vete. Një shembull: Kur babai im kërkonte një punëtor të ri, shqiptarët shumë shpejt ia propozonin një të afërm ose ndonjë të njohur nga fshati. Por kur këta pastaj nuk tregoheshin të mirë në punë ose binin në sy për të keq, ata i disiplinonin menjëherë. Edhe tash, kur disa kosovarë sillen keq në Zvicër, do të duhej që shqiptarët e integruar mirë të shprehen qartë dhe kuptueshëm rreth kësaj dhe të thonë se një sjellje e tillë nuk shkon. Kjo do të pritej shumë mirë nga zviceranët.

Albinfo.ch: A e ka çimentuar SVP para rreth 17 vitesh qëndrimin e saj, le të themi, kritik ndaj kosovarëve me pllakatin e njohur “Kosoalbaner Nein”?

P.M.: Në pllakat në fakt shkruhej “Kontaktnetz für Kosovo-Albaner. Nein.” (Rrjeti i kontaktit për shqiptarët e Kosovës. Jo). Por çështja është se SVP qysh para 20 vitesh e kishte kapur “hekurin e nxehtë” në kuptimin tematik. Ajo nuk ka pasur frikë nga kjo. Kjo ka rëndësi dhe është ashtu si duhet! Një shembull aktual është debati mbi temën e islamizmit. Unë personalisht e kam prekur këtë temë që në vitin 2002 ndërsa partia pas kësaj e ka ngritur në nivelin nacional. Sot ne po shohim se shqetësimet e atëhershme janë materializuar. Është me rëndësi që t`i ruajmë vlerat tona demokratike dhe të shtetit juridik si dhe në rast nevoje, t`i mbrojmë.

Albinfo.ch: Në një artikull të botuar kohë më parë në NLZ ku ju flisni për Kosovën, mund të lexohet se shqiptarët e besimit mysliman kanë një qasje më të butë dhe më pragmatike ndaj islamit. A mund të na përmendni disa shembuj?

P.M.: Religjioni në Kosovë është sigurisht i rëndësishëm, por përcaktues i identitetit atje është nacionaliteti, përkatësia kombëtare. Kjo në Kosovë dhe në Shqipëri tregohet edhe me atë se ka shumë martesa në mes të besimeve të ndryshme. Të afërmit e gruas sime vijnë nga një fshat në kufirin Kosovë-Shqipëri. Shumë nga banorët janë katolikë. Bashkëjetesa në mes të katolikëve dhe myslimanëve (Dervishë) shkon mirë.

Albinfo.ch: Si mu d t`ia sqaroni një kolegu tuaj nga partia qasjen e çliruar nga paragjykimet ndaj besimtarëve të fesë tjetër, të tillë çfarë në Kosovë dhe në Shqipëri është diçka e zakonshme?

P.M.: Zvicra është një vend shumë tolerant dhe, sa i takon bashkëjetesës së religjioneve dhe gjuhëve të ndryshme, sistemi ynë është dëshmuar shumë mirë. Ne duhet të kemi kujdes që toleranca jonë të mos keqpërdoret nga armiqtë për t`i realizuar qëllimet e tyre. Sa i përket islamit politik dhe islamizmit, ne e kemi një rrezik të tillë.

Albinfo.ch: Kosova është një shtet i ri. Shumëçka atje ka shkuar mbrapsht, disa gjëra kanë shkuar edhe mirë. Ju keni qenë atje privatisht. Por ju jeni politikan edhe kur udhëtoni privatisht. Çfarë ju ka rënë në sy gjatë atyre ditëve: në çfarë drejtimi po zhvillohet Kosova dhe a keni parë shanse që ajo të zhvillohet në një shtet që funksionon mirë?

P.M.: Problemi më i madh është shkalla shumë e lartë e papunësisë. Kjo i brengos njerëzit shumë. Ëndrrat dhe dëshirat e tyre për të ardhmen përfundojnë në qorrsokak. Shumë prej tyre e shohin të ardhmen e vet jashtë vendit. Kjo më shqetëson, sepse këtë rrugë e marrin para të gjithëve njerëzit me moshë të re, inteligjentë dhe të aftë. Dhe pikërisht për këta njerëz ka nevojë Kosova për një zhvillim pozitiv ekonomik. Këtu kërkohet angazhimi i politikës. Ajo duhet të angazhohet për krijimin e kushteve të mira bazë për zhvillimin ekonomik.

Por, mua më duket se shumë politikanë rrinë lidhur pas zinxhirit të Amerikës dhe të BE-së. Disa nga kufizimet e vendosura vështirësojnë një të ardhme të mirë për ekonominë e Kosovës. Unë jam i mendimit se Kosova duhet të ketë jo më pak, por në të kundërtën, më tepër të drejtë për vetëvendosje. Ose, si mund ta vlerësojmë një vend i cili madje as për flamurin apo himnin e vet nuk mund të vendosë, pa ju vënë një veto nga jashtë? Si zviceran unë nuk do të lejoja diçka të tillë, sa kohë që do të angazhohesha politikisht dhe do të merrja përgjegjësi. Këtë mund t`ua rekomandoj të gjithë shqiptarëve.

Albinfo.ch: Çfarë ju ka mbetur në mënyrë të veçantë në kujtesë nga vizita në Kosovë?

P.M.: Më ka lënë mbresa të veçanta ajo se si kosovarët në Zvicër kursejnë para për çdo muaj, që të mund t`i mbështesin familjet e tyre në Kosovë. Ky solidarizim familjar është madhështor dhe mund të jetë shembull për Zvicrën. Më ka bërë përshtypje edhe mikpritja shqiptare. Një proverb i vjetër shqiptar thotë se “Duhet ta trajtosh mysafirin tënd si familjarin tënd ose edhe më mirë se atë”. Pikërisht kështu më kanë pritur edhe mua. Kjo është madhështore.

 

Kosova duhet të ketë më shumë të drejtë për vetëvendosje

Unë jam i mendimit se Kosova duhet të ketë jo më pak, por në të kundërtën, më tepër të drejtë për vetëvendosje. Ose, si mund ta vlerësojmë një vend i cili madje as për flamurin apo himnin e vet nuk mund të vendosë, pa ju vënë një veto nga jashtë? Si zviceran unë nuk do të lejoja diçka të tillë, sa kohë që do të angazhohesha politikisht dhe do të merrja përgjegjësi. Këtë mund t`ua rekomandoj të gjithë shqiptarëve.

 

Te shqiptarët, përcaktues është kombi

Religjioni në Kosovë është sigurisht i rëndësishëm, por përcaktues i identitetit atje është nacionaliteti, përkatësia kombëtare. Kjo në Kosovë dhe në Shqipëri tregohet edhe me atë se ka shumë martesa në mes të besimeve të ndryshme. Të afërmit e gruas sime vijnë nga një fshat në kufirin Kosovë-Shqipëri. Shumë nga banorët janë katolikë. Bashkëjetesa në mes të katolikëve dhe myslimanëve (Dervishë) shkon mirë.