CH-Ballkani

Pleksja e krimit me politikën

Kanabisi, kryemafiozi Balilli, tolerimi dhe bile bashkëpunimi i organeve shtetërore me krimin ishin theksimet e ministrit të shkarkuar të drejtësisë, Ylli Manjani. Cilado që të jetë e vërteta, një gjë u pa qartë se kryeministri shqiptar Rama do të jetë i vetmi at i mullarit të quajtur qeveri

Shkarkimi i ministrit të Drejtësisë Ylli Manjanit nga Edi Rama nxori edhe njëherë në shesh pleksjen e krimit në politikë dhe diabolikën e gjykimit politik në Shqipëri. Jo vetëm opozita e quajti shkarkimin e Manjanit si prishje të omertas, do me thënë të thyerje së kodit të heshtjes së mafias, por edhe vetë Manjani në një mënyrë a një tjetër të njëjtën gjë tha. Manjani e konsideroi veten viktimë të një qeverie të korruptuar, ku u ndaka llokma, do me thënë copa e madha e tenderëve, kurse gjykatat vendet ku thjesht u mbledhkan bakshishet… Kryetari i Grupit Parlamentar na doli me një qëndrim përkëdhelës ndaj kolegut të tij partiak duke e quajtur shkarkimin e tij si zgjidhjen e vetme në alternativën mes shkarkimit të kryeministrit dhe të ministrit. Edhe vetë ministri i shkarkuar u shpreh falënderues për   “mbështetjen e partisë”! Kanabisi, kryemafiozi Balilli, tolerimi dhe bile bashkëpunimi i organeve shtetërore me krimin ishin theksimet e ministrit të shkarkuar të drejtësisë…

Cilado që të jetë e vërteta, një gjë u pa qartë se kryeministri shqiptar Rama do të jetë i vetmi at i mullarit të quajtur qeveri. Në galopin e tij vërdallë mullarit, Rama dëshmoi se do të jetë i vetëm dhe i pa konkurrencë. Kjo do të mund edhe të kapërdihej disi, sepse pak a shumë shumica e krerëve të qeverive ballkanike mendësitë e atllarëve kanë, por jo edhe tolerimi i krimit e në mos më keqe edhe pakti i heshtur me të. Është e qartë se si në prononcimet e të shkarkuarit, ashtu edhe në prononcimin e opozitës ka teprime dhe keqdashje, por gjithsesi se ka edhe diç të vërtetë. E “diç” e vërteta janë pa asnjë dyshim plantacionet e kanabisit në Shqipëri, siç janë edhe jo vetëm automjetet, barkat e gomonet e mbushura të hashashit, por edhe fluturaket dhe pistat e aterrimit pranë këtyre plantacioneve. Plantacionet e kanabisit nuk mund t’i mbulojnë as shkarkimet e ministrit, as retorika e gjatë dhe bajate e ndonjëherë edhe e zbraztë e kryeministrit të kudo ndodhshim të Republikës së Shqipërisë. E “diç” e vërteta është liria e “ Eskobarit të Ballkanit” dhe administrimi i tij sovran në mbretërinë e zgjeruar të plantacioneve të tij.

Është e qartë se Edi Rama dhe qeveria e tij gjetën një Shqipëri – Lazarat jo vetëm në fushë të lëndëve narkotike, por edhe në shumë fusha të tjera përfshirë edhe policinë dhe drejtësinë. Është e qartë se qeverisja e çdo qeverie sado mirë të organizuar, sado objektive, profesionale dhe etike të jetë do ta kishte të vështirë të kryente obligimet e saj ashtu siç duhet, por pakti, qoftë i heshtur me krimin, qoftë edhe i segmenteve lokale, që janë jashtë administrimit të drejtpërdrejtë të ekzekutivit, janë jo vetëm se të patolerueshme, por edhe të denja për t’u hetuar dhe dënueshme. E patolerueshme është edhe mostransparenca e kryeministrit, i cili kështu lë përshtypje se ministrin e drejtësisë e shkarkoi për padëgjueshmëri e për përmbushjen e egos personale e jo për shkak të kequdhëheqjes apo keqpërdorimit të funksionit. E jotransparenca hap thesin e mëdyshjeve, të dyshimeve e të (keq)interpretimeve. Kështu me apo pa dashje qeveria e Shqipërisë bëhet kreatore e diabolizmit në të interpretuar dhe në të informuar.

Mungesa e transparencës në vendime si shkarkimi i ministrit të një resori kaq të rëndësishëm, siç është drejtësia, por dhe në veprime dhe vendime të tjera të qeverisë, jo vetëm se i hap rrugë diabolizmit në interpretime, por e vështirëson shumë rrugën e ecjes së Shqipërisë drejt ligjshmërisë dhe prosperitetit dhe me këtë edhe arritjen  e saj te dyert e BE-së.

E Edi Rama u zgjodh nga shqiptarët pas dështimit të qeverisë paraprake për ta ofruar Shqipërinë aty ku dëshirojnë shumica e shqiptarëve, përveç atyre që i tremben transparencës, ligjshmërisë dhe llogaridhënies. E të tillë janë jo vetëm zyrtarët e qeverisë paraprake, por me gjasë të madhe edhe eksponentë të qeverisë së sotshme.

Përndryshe pse kjo mungesë transparence?

 

* Ky është një opinion i autorit dhe nuk reflekton domosdoshmërisht qëndrimet e redaksisë

KUJDES ! TEKSTI YNË I KOPJUAR DO TË DENONCOHET DHE RAPORTOHET. PËRPOS NËSE...

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e albinfo.ch dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://www.albinfo.ch/pleksja-e-krimit-me-politiken/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin. Redaksia e albinfo.ch.