Jeta në Zvicër

Pllakati antikosovar, rikonfirmohet dënimi për dy kuadrot e SVP-së

 

Edhe shkalla e dytë e gjyqësorit në Bernë ka rikonfirmuar se janë fajtor sekretari i përgjithshëm i SVP-së, Martin Baltisser dhe zëvendësja e tij, Silvia Bär për pallkatin antikosovar. Ata janë dënuar sërish për diskriminim me bazë race, njoftojnë mediat në Bernë.

Megjithatë aktgjykimi i Gjykatës Supreme është paksa më i butë.

Sekretari i Përgjithshëm i SVP-së, Martin Baltisser dhe zëvendësja e tij, Silvia Bär janë dënuar me gjobë prej 45 njësi ditore. Kurse Gjykata penale e Regjionit të Bernës kishte marrë vendim për 60  njësi.

Pllakati i përfolur ishte publikuar nëpër medie dhe ishte vendosur në vende të ndryshme të qyteteve zvicerane në vitin 2011. Ai i referohej therjes me thikë në fyt (shkaktim plage) që një kosovar i kishte bërë një zvicerani në gusht të atij viti në Interlaken të Bernës, përcjell albinfo.ch.

Pasi që teksti i pllakatit ishte publikuar dy muaj para zgjedhjeve nacionale të vitit 2011 ngritësit e kallëzimit penal, dy kosovarë ashtu si dhe prokuroria, konsiderojnë se ky tekst ka pasur ndikim në rezultatin zgjedhor të SVP-së.

Autoritetet e Bernës fillimisht e patën ndërprerë procedurën por pastaj gjykata më e lartë e ka kthyer lëndën në rishqyrtim, transmeton albinfo.ch. Në dhjetor të vitit 2014 Prokuroria e Bernës ka ngritur akuzën ndaj dy kuadrove të SVP-së me arsyetimin se me këtë pllakat kosovarët janë identifikuar si kolektivitet me kriminelët e dhunshëm.

Aktakuza vë po ashtu në dukje se teksti i këtij pllakati ka qëndruar deri në fund të vitit 2013 në websitin e SVP-së së Zvicrës dhe në atë të Iniciativës kundër migracionit masiv. Kjo iniciativë, siç dihet, në fillim të vitit 2014 është votuar dhe ka fituar me një rezultat të ngushtë.

Avokati përfaqësues i dy kosovarëve madje ka ushtruar edhe një ankesë në Gjykatë Federale lidhur me votimin. Sipas tij, nëse teksti i përmendur përbën diskriminim racor, fitorja e arritur në referendum do të konsiderohet e bazuar në një falsifikim dhe si e tillë duhet të përsëritet.

Gjykata Federale nuk e ka trajtuar ende këtë ankesë.