E-Diaspora

Po afrohet Darka e Diasporës

Po afrohet ‘Darka e Diasporës’ me qëllime bamirësie e cila do mbahet në lokalin Eni’t pranë Paradeplatz, me datën 29 shtator 2017, prej orës 19:00 – 21:00.

Kjo darkë bashkë-organizohet nga ‘Aksioni për Nëna dhe Fëmijë’ (ANF) dhe ‘Solidar Suisse’, ndërsa mbështetet nga Rrjeti i Bizneseve Shqiptare në Zvicër si dhe Ambasada Kosovare në Zvicër.

Kësaj ngjarje do t’i bashkohet edhe Dr. Omer Dzemali, njëri ndër 100 kokat e ndritura të Zvicrës, i cili do të  mbajë  edhe një  fjalim rasti për të pranishmit.

“Arsyeja që unë e përkrah një iniciativë të tillë për përmirësimin e kushteve të spitaleve për nënat që lindin dhe foshnjat e reja është: Profesioni im human, e di se sa të nevojshme janë kushtet për të arritur deri te suksesi. Nëna shqiptare shtylla e shoqërisë, fëmija shtylla e ardhmërisë, iu duhet një përkrahje e pa rezervë”, thekson Dr. Dzemali.

Ngjarja do të përfshijë një meny të përzgjedhur ushqimore nën shoqërimin e tingujve muzikor, e përcjellur me aktivitete të tjera përgjatë mbrëmjes. Kjo darkë organizohet me qëllimin e uljes së shkallës së vdekshmërisë të foshnjave në Kosovë. Që nga paslufta, kur shkalla e vdekshmërisë ka qenë 29 foshnja në 1,000 lindje, ky tregues ka rënë në 11 vdekje në 1,000 lindje, shifër që ende mbetet më e larta jo vetëm në rajon, por edhe në Evropë.

“Është kënaqësi të mbështesim ngjarjen bamirëse ‘Darka e Diasporës’ e cila ka një mision kaq urgjent dhe të nevojshëm për shpëtimin e jetëve të foshnjave dhe nënave në Kosovë. Si rrjet i bizneseve, ne i kushtojmë rëndësi të veçantë përgjegjësisë ndaj shoqërisë për të ndihmuar në përmirësimin e cilësisë së jetesës së komuniteteve”, u shpreh Qamil Isufi, kryetar i Rrjetit të Bizneseve Shqiptare në Zvicër RRBSHZ.

Ky aktivitet bëhet i mundur falë mbështetjes së partnerëve si lokali Eni’t, platforma AlbInfo.ch, agjencioni “Eurokoha” si dhe organizata “Germin”. Më shumë informata për ngjarjen mund të gjeni këtu.

Aksioni për Nëna dhe Fëmijë është fondacion humanitar që i përkushtohet shpëtimit të jetës së fëmijëve dhe nënave në Kosovë. Ky fondacion zhvillon programe shëndetësore në klinikat gjinekologjike/obstetrike (që përkujdesen për nënat), Njësitë e Kujdesit Intensiv Neonatal (që përkujdesen për foshnjet e lindura para kohe) dhe klinikat pediatrike (që përkujdesen për fëmijë të sëmurë nga leukemia, sëmundje të zemrës, astma dhe sëmundje të tjera) në Republikën e Kosovës. Për më shumë www.amchealth.org
Kontakt:
e-mail: [email protected]
tel: +381 38 748 309
mob: +386 49 110 333
www.amchealth.org
https://www.facebook.com/actionformothersandchildren