Shqipëria

Po shkonte në punë, detaje nga vdekja e shqiptarit në Gjenovë të Italisë

Ruzhdi Mashku tha se Admiri një ditë më parë festoi 3-vjetorin e martesës

Admir Bokrina është 32-vjeçari shqiptar që humbi jetën në Gjenova të Italisë, pas shembjes së urës që i mori jetën së paku 37 personave.

Mes dhimbjes dhe lotëve, i afërmi i 32-vjeçarit ka treguar detaje nga vdekja e tij.

Në një lidhje telefonike për “News24” mes tronditjes së thellë, Ruzhdi Mashku tha se Admiri një ditë më parë festoi 3-vjetorin e martesës, ndërsa viktima u njoh nga një tatuazh që kishte në trup, shkruan ‘albeu’.

“Një ditë para se të vdiste, Admiri ka festuar 3-vjetorin e martesës. Që prej moshës 12-vjeçare ka shkuar në Itali. Ai po shkonte në punë. Trupi është identifikuar përmes një tatuazhi në trup. Prindërit e tij janë nisur drejt Italisë mëngjesin e kësaj të mërkure. Fillimisht të afërmit janë bërë merak se nuk përgjigjej në celular. Admir Bokrina jetonte me bashkëshorten në Itali. Ishte bashkë me një shok kur ndodhi tragjedia”, ka thënë ai, përcjell albinfo.ch.

Prindërit e tij kishin 10 ditë që ishin kthyer në Shkodër, në vendlindje për pushime, kur dje kanë mësuar lajmin e trishtë dhe janë nisur me urgjencë në Itali.