Kultura

Poezia në epokën e smartfonëve

Leximi i poezive që në këtë orë letrare autorët e bënë kryesisht nga telefonat “e mençur” dhe jo nga letra, ishte edhe një risi teknologjike që u "promovua” në këtë pasdite letrare

 

Aktiviteti përmbyllës për këtë vit i Shoqatës së Krijuesve Shqiptarë të Zvicrës, “Takimet e dhjetorit” , iu kushtua promovimit të tri veprave letrare.

“Ëndërroj se po zgjohem”, i autores Miradije Maliqi, “Malli i dashurisë” nga Dan Kosumi dhe “Art metafora” nga Gëzim Ajgeraj, ishin titujt e librave të promovuar.

Në një kohë kur prezantimi i krijimtarisë letrare në mërgatën shqiptare të Zvicrës mbetet në margjina të interesimeve të komunitetit në përgjithësi, ky takim letrar prirej që të sillte sadopak frymë letërsie në këtë ambient. Këtë e tregoi numri solid i autorëve që lexuan, por mjerisht e demantoi numri i vogël i të pranishmëve të tjerë, që do të shijonin letërsinë e prezantuar.

Në këtë pasdite letrare, lidhur me veprat e promovuara u lexuan katër vështrime. Isuf Sherifi dhe Shqipe Bytyqi-Kajtazi bënë fjalë për veprën e Miradije Maliqit, Brahim Avdyli për librin e Gëzim Ajgerajt dhe Bujar Salihu, për librin e Dan Kosumit.

“Autorja Dije Maliqi, në librin e saj me poezi, “Ëndërroj se po zgjohem” jep një sintezë poetike jo lehtë të kalueshme për lexuesin; ajo edhe pse që në kryetitull të librit prejudikon gjendjen poetiko – shpirtërore, tregon qartë se është jo vetëm e zgjuar, dhe se, jo vetëm që nuk ëndërron, por sheshon të vërtetën e antitezës, se Dije Maliqi, të gjitha këto i përjeton zgjuar dhe i prek zgjuar, duke tentuar të thotë një të vërtetë tjetër, që bota jonë nuk po e jeton vetveten, por, sikur  po e gjakon mungesën e vetvetes”, tha Isuf Sherifi në vështrimin e tij.

Ndërsa me një vepër tjetër të autores së përmendur, me librin autobiografik “Ti nuk je kujtim” është marrë Shqipe Bytyqi-Kajtazi. Autorja e vështrimit e cilëson librin si një përpjekje për të dalë jashtë skemave formale letrare: “Librin “ Ti nuk je kujtim” unë do ta quaj autobiografik, ngaqë rrëfimtarja e ndihmuar nga kujtimet, nga një segment i jetës së saj, e shkruan këtë vepër autobiografike jashtë skemave formale letrare, jashtë strukturave skematike”.

Ndërsa znj. Bytyqi-Kajtazi më tepër ndalet në dhembjen, e cila në një mënyrë mund të thuhet se “e ka shkruar” këtë libër. Kjo dhembje i është shkaktuar autores me humbjen e të bijës në një moshë të re. “Autorja e kësaj vepre lufton dhembjen e shpirtit të saj, por edhe i ngushëllon të gjitha nënat që rrugëtojnë me pikëllim në zemër në këtë botë halleshumë. “ Nëse nuk mund të fluturosh vrapo, nëse nuk mund të vraposh ec, nëse nuk mund të ecësh zvarritu…diçka duhet bërë, thjesht për të vazhduar…”.  Autorja e ka shkruar atë që e ka ndjell që nga çasti kur Monda është reinkarnuar në lule, në flutur, në zanë mali…”, shkruan veç tjerash Bytyqi-Kajtazi në vështrimin e saj për librin e Miradije Maliqit.

Brahim Avdyli ka marrë për të trajtuar vëllimin me poezi të Gëzim Ajgerajt “Art Metafora”. Pasi që konstaton se Ajgeraj, ka botuar mbi 50 vepra letrare e mbi letërsinë, Avdyli ngre pyetjen se çfarë në të vërtetë është letërsi, në masën e madhe të shkrimeve të këtij autori.

“Në rastin tonë, para së gjithash duhet të trajtojmë si “letërsi” dhe “letërsi e të gjithë shqiptarëve” letërsinë e Gëzim Ajgerajt të shkruar në mërgatë, me mallin e pashuar të një poeti të veçantë, me një klithme malli apo mallëngjimi “udhëve të botës”, e deri te shfrimet një pas një të thirrjeve të dritës e të lirisë, për një ditë më të mirë, thotë veç tjerash Avdyli.

Ndërkaq për vëllimin poetik “Malli i dashurisë” të Dan Kosumi një vështrim e ka lexuar Bujar Salihu.

“Si do të krijoheshin veprat letrare, pa vuajtjen, mallin, gjakimin, brengën, mërzinë, do t’i kishte letërsia botërore tablotë ilustrative të “princeshave” të shumta të ndërtuar nga gjenitë e mëdhenj të letrave…dihet mirëfilli se gati të gjitha kryeveprat kanë nga një bukuri besnike që e shoqëron ligjërimin, këndimin a rrëfimin”, shkruan Salihu duke u ndalur në burimin e frymëzimit të autorit të librit.

Në pjesën e dytë të pasdites letrare, pjesë nga krijimtaria e tyre kanë lexuar:  Mark Kuzhnini, Bujar Salihu, Barbara Haim, Tonin Nikolli, Shaip Beqiri, Gëzim Ajgeraj, Miradije Maliqi, Dan Kosumi, Arbër Ahmetaj,  Sabit Gecaj, Isuf Sherifi dhe Shukrije Ramadani.

Leximi i poezive, që autorët e bënë kryesisht nga telefonat “e mençur” dhe më pak nga letra, ishte edhe një “risi teknologjike” që u “promovua” në këtë pasdite letrare.

(Fotot: Armend Berisha)