Kosova

Policia e Kosovës apelon për respektim të rregullave të trafikut

Në 24 orët e fundit në Kosovë kanë ndodhur dy aksidente me fatalitet, të cilat kanë shtyrë edhe një herë Policinë e Kosovës të përsërisë kërkesën për kujdes të shtuar në trafik.

 Një 20-vjeçar ka vdekur në një aksident në Mitrovicë, ndërsa një e moshuar ka vdekur në një aksident që ka ndodhur në rrugën Radavc-Pejë.

Policia thotë se me gjithë masat e vazhdueshme operacionale, duke përfshirë edhe fushatat senzibilizuese, përsëri situata është shqetësuese.

“Aksidentet në përgjithësi, e sidomos humbja e jetëve njerëzore në aksidente trafiku është shqetësuese jo vetëm për policinë, por edhe për institucionet e tjera dhe qytetarët në përgjithësi, prandaj kërkohet dhe apelojmë për një përkushtim dhe qasje më gjithëpërfshirëse proaktive, për një gjendje më të mirë. Policia e Kosovës, me njësitet e saj në kuadër të fushëveprimit vazhdon të monitorojë dhe të menaxhojë situatën në trafikun rrugor nëpër të gjitha rrugët e vendit dhe aty ku pjesëmarrësit bien ndesh me rregullat në trafik, masa ndëshkuese ligjore do të aplikohen me qëllim të parandalimit të rasteve të aksidenteve në veçanti”, thuhet në njoftim.