Kosova

Policia: Nuk është e vërtetë që kemi keqtrajtuar të arrestuarit mbrëmë

Këshilli për Mbrojtjen dhe të Drejtat e Njeriut, në një njoftim ka thënë se një i arrestuar mbrëmjen e kaluar, i cili po kërkohej ndërkombëtarisht, ka shenja të dhunës fizike në trup, ndërsa policia ka mohuar një gjë të tillë.

Policia e Kosovës ka reaguar ndaj disa shkrimeve, në të cilat është shkruar se KMDLNJ konstaton se njëri nga të arrestuarit mbrëmë është keqtrajtuar.

“Bazuar në detyrat dhe autorizimet ligjore, në funksion të zbatimit të ligjit, Policia ndërmerr veprime operacionale në funksion të realizimit të objektivave të saj. Për arritjen e këtyre objektivave Policia është e autorizuar sipas ligjit që konform situatës të zbatojë dhe të aplikojë procedura standarde të operimit, duke përfshirë edhe përdorimin e forcës fizike të domosdoshme, proporcionale dhe të nevojshem për vënien në kontroll të personave të dyshuar”, thuhet në njoftimin e policisë, shkruan Albinfo.ch.

Sipas policisë, në rastet sikur ky i fundit, i apostrofuar, ku kanë pasur të bëjnë me arrestimin e personave të kërkuar ndërkombëtarisht për raste të vrasjes dhe të cilët gjatë arrestimit kanë qenë rezistent ndaj zyrtarëve policorë dhe po ashtu u janë gjetur në posedim edhe armë, kërkohet qasje profesionale dhe veprime efikase operacionale për kontroll dhe shmangie të rrezikut potencial.

“Megjithatë, sikurse edhe herëve të tjera, Policia e Kosovës pas vlerësimeve pasoperacionale do të trajtojë dhe do të analizojë të gjitha veprimet e zyrtarëve policorë, duke perfshirë edhe shqyrtimin e raporteve zyrtare mbi përdorimin e forcës së mundshme. Dhe ju konfirmojmë se PK ka bashkëpunim të mirë me KMDLNJ-në dhe i merr për bazë deklarimet mbi dyshimet e ngritura për përdorimin e mundshëm të forcës ndaj një të arrestuari”, thuhet me tutje në sqarimin e policisë.

“Prandaj, ju rikonfirmojmë që Policia e Kosovës është e përkushtuar në zbatimin e ligjit dhe mbrojtjen e të drejtave njerëzore dhe është transparente për ofrimin e të gjitha informacioneve relevante për opinionin dhe mediat e që kanë të bëjnë me aktivitete policore dhe respektimin e të drejtave njerëzore në përgjithësi”, ka thënë policia.