Feja

Politikanët e rinj, me qëndrime të moderuara mbi islamin

Sfidat e të rinjve që praktikojnë besimin mysliman në shoqërinë e sotme zvicerane ishin temë e një debati të zhvilluar në Universitetin e Cyrihut, ku mori pjesë edhe Blerim Bunjaku, kandidat për deputet kantonal dhe nacional nga EVP

Një debat korrekt dhe pa kundërshtime të mëdha mbi islamin në Zvicër, i zhvilluar në mes të përfaqësuesve të rinj të partive që, në nivele tjera, kanë kundërshtime të mëdha me njëra tjetrën. Kështu mund të përshkruhet me pak fjalë debati i organizuar nga Shoqata e Studentëve Myslimanë në Universitetin e Cyrihut (MSAZ), ku kanë marrë pjesë: kandidati i EVP-së për Parlamentin e Kantonit të Cyrihut dhe atë federal, Blerim Bunjaku, anëtarja e kryesisë së JUSO-s të Kantonit të Cyrihut Anna Serra, anëtari i kryesisës së të rinjve të SVP-së (JSVP) të këtij kantoni, Sebastian Huber dhe Nexhla Medii nga MSAZ. Moderator ishte redaktori i gazetës NZZ, Simon Hehli.

Cilat janë sfidat e të rinjve që praktikojnë besimin mysliman në shoqërinë e sotme zvicerane dhe cilat janë rrugët që ata duhet t`i ndjeklin për të ushtruar besimin në harmoni me shoqërinë ku jetojnë. Sa është e hapur shoqëria zvicerane për të pranuar besimtarët islamë si pjesë të vetën dhe sa janë vetë këta besimtarë të përgatitur për të qenë pjesë e natyrshme e kësaj shoqërie. Rreth këtyre dhe pyetjeve tjera kanë rrahur argumentet panelistët e përmendur.

Si një shqiptar mysliman që garon për një parti që në themel ka vlerat e krishtera (EVP) është shembulli më i mirë se kombinimi mysliman-zviceran mund të funksionojë me sukses në praktikë. Kështu mendon Blerim Bunjaku, kandidati i EVP-së nga Winterthur-i. Rreth “kundërshtisë” së përkatësisë së tij fetare me atë partiake të tij, vitin e kaluar ishte ngritur mjaft pluhur në opinion. Bunjaku në këtë panel ka folur për pajtimin në mes të vlerave të përmendura, respektivisht ka apeluar në mungesën e kundërshtisë në mes tyre siç fryhen nganjëherë gjërat në medie. Ai ka konsideruar politikën zvicerane më meritore për tolerancën në këtë drejtim. Por, politikani i ri shqiptarozviceran ka theksuar gjithashtu se shoqëria e këtushme ka ende nevojë të piqet për të pranuar myslimanët si pjesë të saj. Sipas tij edhe brenda vetë partisë së tij ka paqartësi dhe paragjykime në këtë drejtim, por shumica në kreun e saj është emancipuar dhe kjo ka bërë të mundur besimin që i është dhënë atij për të përfaqësuar këtë parti në zgjedhjet e pritshme.

Përfaqësuesi i JSVP-së, Sebastian Huber ka qenë në fokus, për vetë faktin e përkatësisë së tij partiake. Pyetjet që i drejtoheshin atij kishin të bënin me qasjen e njohur përjashtuese të SVP-së përkitazi me islamin. Ndalimi i minareve, ndalimi i shamive të femrave myslimane dhe disa inciativa të ngjashme, çdo herë kanë pasur pikënisjen nga kjo parti. Por Huber, me një qasje të moderuar ka kundërshtuar atë që ai e quan paragjykim ndaj SVP-së. Në të vërtetë ai ka mbrojtur tezën se brenda kësaj partie ka mendime të ndryshme lidhur me problemet e ndryshme dhe se sidomos seksioni ku bën pjesë ai (JSVP) nuk lidhet doemos me SVP-në në qëndrime. Në këtë kuptim, Huber ka thënë se personalisht nuk do ta votonte iniciativën kundër minareve dhe as iniciativat tjera kundër mbulesës së grave mysliomane. Sipas tij secila ndalesë vetëm sa e nxit ekstremin nga ana tjetër.

Qasja e tillë e një përfaqësuesi të SVP-së ka nxitur kundërthënie në mesin e publikut, ku kishte edhe përfaqësues të IZRS-së (Këshilli Qendror Islam i Zvicrës) i njohur për proklamim të një islami rigjid. Nga ky drejtim politikani i ri është “kryqëzuar”, duke u ballafaquar me qëndrimet zyrtare të partisë së tij amë që njihen si përjashtuese në këtë drejtim. Huber, nga ana e tij, e ka quajtur qëndrimin e tij të emancipuar pasqyrim të demokracisë së brendshme që vepron në këtë parti.

Nexhla Medii është një shqiptare e re që bart shami por që është shumë aktive në debatet shoqërore mbi islamin në Zvicër dhe çështjet tjera të lidhura me të. Ajo ka folur në këtë panel për sfidat me të cilat përballet përditë për shkak të veshjes që e dallon nga të tjerët. Sipas saj, shoqëria zvicerane ende nuk është e gatshme të pranojë islamin si pjesë të natyrshme të saj. Ajo ka kërkuar që të mundësohet shkollimi i imamëve në Zvicër, për t`i prerë rrugën radikalizimit. Sepse, ka theksuar Medii, imamët e shkolluar në shtetet arabe ose gjetiu nuk e kuptojnë mentalitetin e besimtarëve të rinj myslimanë, të lindur e të rritur në Zvicër.

Por, cili do të jetë raporti Zvicër-Islam pas 20 viteve, ka qenë pyetja e moderatorit. Shumica e problemeve për të cilat po bisedojmë sot do të jenë të tejkaluara, islami do të pranohet si njëri ndër religjionet zyrtare të Zvicrës dhe besimtarët myslimanë do të jenë pjesë e nënkuptueshme e kësaj shoqërie, ishte qëndrimi i shumicës së panelistëve.

Ndërsa Blerim Bunjaku, këtë tabllo optimiste e çoi edhe një hap më tutje, duke “parashikuar” me humor që pas 20 viteve bashkëpanelisti i tij, Sebastian Huber të bëhet kryetar i Partisë SVP-së, për të tejkaluar në tërësi qëndrimin kundërshtues të kësaj partie ndaj islamit.

Kush është MSAZ?

Shoqata e Studentëve Myslimanë të Cyrihut (MSAZ) është themeluar para tri vitesh. Ajo funksionon sikur të gjitha shoqatat tjera në mesin e studentëve dhe është e regjistruar sipas rregullave në fuqi. Siç bën të ditur nënkryetari i saj, Burim Luzha me prejardhje nga Kaçaniku, shoqata ka rreth 140 anëtarë, një pjesë e konsiderueshme e të cilëve janë shqiptarë.