Integrimi

Politikanët shqiptarozviceranë, braktisin taborët partiakë për natyralizimin

Në tryezën e debatit mbi natyralizimin e lehtësuar, të mbajtur në Cyrih morën pjesë dhe u pajtuan, aktivistë politikë me rrënjë shqiptare nga tri parti rivale në mes vete: SP, FDP dhe BDP

Kanë mbetur edhe pak ditë deri në ditën e votimit të iniciativës për natyralizimin e lehtësuar të të huajve të gjeneratës së tretë, që bëhet më 12 shkurt. Sondazhet e ndryshme japin rezultate që, shikuar nga perspektiva e bartësve të iniciativës, variojnë: herë janë trimëruese e herë dëshpëruese. Prandaj, nisur nga përvoja e deritashme, e cila tregon se iniciativat që favorizojnë të huajt të shumtën e rasteve nuk i kanë gjasat e mira, është i kuptueshëm edhe mobilizimi i mbështetësve të natyralizimit të lehtësuar, shkruan albinfo.ch.

Në vazhdën e shumë aktiviteteve në këtë drejtim ishte edhe debati i organizuar nga disa politikanë të rinj shqiptarozviceranë më 29 janar në Cyrih. E veçanta e këtij aktiviteti ishte pjesëmarrja e aktivistëve politikë nga tri parti nga taborë të ndryshëm: SP, FDP dhe BDP. Ato i ndajnë ideologjitë me të cilat udhëhiqen por aktualisht i bashkon interesi për një Zvicër më liberale dhe më mendjehapur. Për më tepër, në rastin konkret, politikanët e rinj me rrënjë shqiptare shprehën gatishmërinë për një bashkëpunim mbipartiak në një çështje konsensuale çfarë është kjo e natyralizimit.

Florim Kadriu dhe Qëndresa Sadriu, të dytë nga Partia Socialdemokrate, Alban Imeri nga BDP dhe Përparim Avdili nga FDP kanë shpalosur në këtë tryezë debati qëndrimet e partive që përfaqësojnë po dhe ato personale lidhur me votimin e 12 shkurtit.

Përparim Avdili, edhe në cilësinë e nikoqirit, (aktiviteti u zhvillua në një distrikt të Cyrihut ku jeton ai), ka folur për filozofinë që e karakterizon partinë e tij, FDP-në, në raport me të huajt. Ai ka pranuar se FDP-ja nuk fokusohet në politikën që ka të bëjë me të huajt dhe me integrimin, për vetë faktin se fokusi i kësaj partie është ekonomia. Por Avdili ka tërhequr vërejtjen se është pikërisht partia e tij ajo që mundëson krijimin e shumicave në nivel nacional në çështjet që lidhen me migracionin, të cilat i ngre e majta në parlament, shkruan albinfo.ch. Ai ka theksuar se partia që po zhvillon fushatë kundër natyralizimit të lehtësuar, SVP-ja, po e bën këtë në mënyrë të padrejtë. Ajo po e përdor motivin e “burka”-s si simbol islamik, për të  prekur në emocionet e njerëzve të hutuar nga frika e islamizmit. E në fakt natyralizimi i lehtësuar dhe iniciativa përkatëse nuk kanë të bëjnë asgjë me këto.

Ku mbaron integrimi dhe ku fillon asimilimi

Qëndresa Sadriu, si këshilltare e SP-së në komunën Glattbrugg të Cyrihut ka përfaqësuar qëndrimin e saj se, duke qenë e lindur dhe rritur në Zvicër, asaj i takon të luftojë për shanse të barabarta të të gjithë atyre që jetojnë në këtë vend. Prandaj edhe të atyre që ligjërisht konsiderohen të huaj. Ajo ka kritikuar edhe një pjesë të shqiptarëve që jetojnë e punojnë këtu ndërsa mendojnë për t`u kthyer në vendin e prejardhjes. Për më tepër ata këtë qëndrim ua imponojnë edhe fëmijëve të tyre të lindur në Zvicër, një veprim që, siç ka thënë Qëndresa, ua humb atyre orientimin dhe i bën të mos ndjehen askund në shtëpi të tyre.

Referimi i Alban Imerit ka qenë interesant për faktin se vinte nga një deputet i Parlamentit të Kantonit Thurgau, i cili është edhe anëtar i komisionit për natyralizim në komunën e tij. Ai ka thënë se koncepti i integrimit të të huajve sot po përdoret herë si integrim në shoqërinë pritëse duke i ruajtur vlerat e sjella me vete, e herë si asimilim. Kur dihet se madje edhe të rinjtë e gjeneratës së dytë e flasin më mirë gjermanishten se shqipen, Imeri e ka quajtur absurd faktin se të rinjtë e gjeneratës së tretë për t`u natyralizuar duhet t`i nënshtrohen testit të njohjes së gjermanishtes!

Duke folur për integrimin pa harruar rrënjët, ai ka përmendur edhe shembullin e vet. Ai është i lindur në Zvicër, është para mbarimit të studimeve në ETH të Cyrihut, deputet në Parlamentin Kantonal… Dhe, të gjitha këto i ka arritur pa i mbushur 25 vjet. Por, krahas të gjitha këtyre, Albani është kryetar i një shoqërie muzikore shqiptare në regjionin ku jeton. “Jam aktiv në shoqërinë zvicerane por kjo nuk më pengon të kultivoj edhe kulturën nga tradita e vendit të prejardhjes”, ka thënë veç tjerash Alban Imeri, duke porositur të gjithë që më 12 shkurt të votojnë pro iniciativës.

“Aq sa na duhet ne Zvicra, po aq i duhemi edhe ne asaj”

Florim Kadriu, përgjegjës për migracion në sindikatën Unia në Kantonin Aargau ka folur për një histori personale të tij që ndryshon nga ajo e kolegëve të tij politikanë. “Unë jam lindur në Zvicër por nga mosha njëvjeçare kam jetuar në Maqedoni, ku dhe kam vijuar shkollën deri në vitin e parë të gjimnazit”. Pasi është kthyer në Zvicër, Kadriu ka ndjekur rrugën e integrimit. “Në këtë rrugë kemi ndryshuar të gjithë. Sot nuk ekziston më ai tipi i mërgimtarit që jeton e punon këtu ndërsa e konsideron Zvicrën si vend të huaj. Është e kundërta. Ne sot e ndjejmë Zvicrën si vend tonin dhe përpiqemi t`u përmbahemi rregullave, ligjeve e zakoneve të këtushme. Por si po i përgjigjet Zvicra kësaj gatishmërie? A po na pranon ajo si të integruar, dhe si pjesë të saj? Prania kaq e madhe sidomos e brezit të dytë në çdo pore të shoqërisë së Zvicrës është tregues se aq sa na duhet neve Zvicra, po aq i duhemi edhe ne asaj”, ka thënë Kadriu.

Ai ka theksuar se nuk është e vërtetë ajo që thonë kritikët se ligji i ri, nëse votohet e bën Zvicrën një “han pa porta” që u mundëson të gjithëve të natyralizohen. Kjo nuk qëndron për shkakun se edhe me atë ligj, sërish duhen plotësuar shumë kushte e kritere për të marrë pasaportën e Zvicrës dhe as që bëhet fjalë për natyralizim të automatizuar të brezit të tretë. Prandaj apeli i tij u është drejtuar shqiptarëve me pasaportë zvicerane që të votojnë pro, sepse janë ata që e bëjnë ndryshimin.

Debati i udhëhequr nga Arbnora Aliu, kryetare e shoqatës së Studentëve Shqiptarë të Cyrihut “Studenti” ka vazhduar me përfshirjen edhe të publikut me pyetje, komente dhe sugjerime.

KUJDES ! TEKSTI YNË I KOPJUAR DO TË DENONCOHET DHE RAPORTOHET. PËRPOS NËSE...

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e albinfo.ch dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://www.albinfo.ch/politikanet-shqiptarozvicerane-braktisin-taboret-partiake-per-natyralizimin/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin. Redaksia e albinfo.ch.