Integrimi

Politikania shqiptarozvicerane e FDP-së që sheh “vetëm drejtë”

„Në politikë unë kam një rrugë dhe ajo është rruga liberale; as majtas, as djathtas, por drejt“, shprehet ajo për moton e kësaj gare politike

Nazmije Ismaili shpreson të marrë votat e qytetarëve të kantonit Thurgau në zgjedhjet nacionale që do të mbahen në tetor të këtij viti.

Politikania e re shqiptarozvicerane është nominuar nga partia e të rinjve të FDP-së Thurgau, dega në Romanshorn për të garuar në zgjedhjet për Parlamentin Nacional të Zvicrës që do të mbahen më 18 tetor të këtij viti.

FDP është parti liberale që nuk e kufizon qytetarin me rregulla të shumta, vlerëson ajo. Në këtë parti qytetari vendos vetë rregullat dhe është i lirë të vendosë për të ardhmen e vet, shprehet për albinfo.ch Nazmije Ismaili, zëvendës presidente e FDP-së për Romanshorn.

nazmije 11988647_1631958130408584_972416517149540463_n

„Në politikë unë kam një rrugë dhe ajo është rruga liberale; as majtas, as djathtas, por drejt“, shprehet ajo për moton e kësaj gare politike.

Si femër që jam dua t’ju flas veçmas grave shqiptare që të mos presin nga të tjerët por të angazhohen vetë për të ardhmen e tyre. Jeta në Zvicër është shumë dinamike dhe ofron mundësi të shumta për angazhimin e femrës në politikë dhe në sfera të tjera të jetës shoqërore të këtij vendi, thotë ajo dhe apelon njëkohësisht për më tepër vetëbesim të femrës shqiptare.

nazmije 11811538_1621906228080441_3885493906070051548_n

Vetë Nazmija është një vajzë ambicioze që shpreson të dalë me një rezultat pozitiv nga zgjedhjet nacionale. „Unë e shoh veten në parlament“, thotë studentja që pëlqen udhëtimin, lexon dhe luan golf gjatë kohës së lirë.

Ndryshe, Nazmije Ismaili ka lindur dhe është rritur në një familje 5-anëtarëshe në qytetin Arbon.

Ajo i takon gjeneratës së tretë të migrimit të shqiptarëve në Zvicër. Nazmija ka 26 vjet, me prejardhje shqiptare nga Tetova.

Tetovarja, është kontabiliste me profesion dhe krahas studimeve për ekonomi në një shkollë të lartë në St. Gallen, punon në kompaninë e sigurimeve, „Helvetia“.

Nazmije 11781598_1619603171644080_618754924596022219_n

Gjyshërit e saj kane ardhur shumë kohë më parë nga Maqedonia. “Unë personalisht këtu (në Zvicër) ndjehem në shtëpinë time, e dua kulturën zvicerane”, thotë ajo.

Nazmijes i pëlqejnë besueshmëria dhe vetëpërmbajtja zvicerane. Ajo ka vërejtje vetëm për ligjet e shumta, sipas saj të panevojshme burokratike të Zvicrës. Për të ka rëndësi angazhimi i të rinjve në politikë. Dhe për fund, ajo dëshiron t`ia kthejë Zvicrës një pjesë të asaj që ka marrë nga ajo.