Shqipëria

Porosia e Ramës për ambasadorët

Në një moment kur Shqipëria është më afër se kurrë hapjes së negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Evropian, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama u ka bërë thirrje ambasadorëve të akredituar, që të jenë “avokatë” të Shqipërisë, pasi gjashtë muajt e ardhshëm do të jenë vendimtarë për negociatat për anëtarësim në union.

“Dua t’ju përsëris edhe publikisht thirrjen të gjithëve ju që e njihni Shqipërinë nga brenda, që i njihni shqiptarët nga afër që çdo fjalë e duhur në drejtimin e duhur për ta mbështetur këtë proces dhe për ta mundësuar çeljen e negociatave në 6 mujorin e parë të vitit të ardhshëm nuk është diçka që e meritoj unë, qeveria, opozita dhe prandaj duhet ta bëni, por është diçka që e meritojnë shqiptarët”, është shprehur Rama, përcjell albinfo.ch.

Sipas Ramës zbatimi i reformës në drejtësi është i vështirë por jo i pamundur. Për këtë arsye, kryeministri shprehet i gatshëm që të ketë një tjetër marrëveshje bashkëpunimi mes qeverisë dhe opozitës, pas marrëveshjes së majit.