Kultura

Porositë e 17 shkurtit dhe të “Valles së pavarësisë”

Në Glatbrugg të Cyrihut, më 17 shkurt, komuniteti shqiptar festoi 4 vjetorin e pavarësisë së Kosovës dhe vitin jubilar, të 100-të, të shtetit shqiptar

Dita e Pavarësisë së Kosovës, 17 Shkurti, për shkakun se ishte ditë pune, të shumtën e rasteve u kremtua një ditë ose dy më vonë, ditëve të vikendit. Ndërsa në Glatbrugg të Cyrihut, 17 shkurti u festua më 17 shkurt. Po kështu, me këtë rast u përkujtua edhe 100 vjetori i shpalljes së pavarësisë së shtetit shqiptar.

Komuniteti shqiptar i këtij lokaliteti ngjitur me qytetin e Cyrihut kishte ardhur në numër mjaft të madh në sallën e rezervuar për këtë manifestim. Organizimin e kishte marrë në dorë një këshill kremtues i kryesuar nga aktivisti Shaban Haliti, ku ishin përfshirë edhe shoqata e porsaformuar “Glattalb” dhe këshilli i prindërve të Shkollës së këtushme në gjuhën shqipe.

“Glattalb” ka bërë me këtë rast edhe paraqitjen e vet të parë publike dhe ka shpalosur misionin për të cilin është krijuar. Puna për integrimin e shqiptarëve në shoqërinë e këtushme, arsimimi, aktivitetet kulturore, janë synimet që i ka shtruar vetes kjo shoqatë në fillimet e veta.

Ndërsa për programin e pasur artistik është kujdesur Ansambli i Këngëve dhe Valleve Shqipe “Vatra” nga Bülach-u. Pos “Vatrës”, me një numër recitimesh e këngësh u paraqitën edhe nxënësit e shkollës së mësimit plotësues në gjuhën shqipe, të udhëhequr nga mësuesi i tyre, Naser Ulaj.

© albinfo.ch

Kryesuesi i këshillit festiv, Shaban Haliti në një fjalë rasti përkujtoi rëndësinë e datës e cila po festohej këtë ditë, duke shprehur vlerësimin më të lartë për dëshmorët, ata që kanë dhënë më së shumti për lirinë e Kosovës. Po kështu, ai theksoi se me këtë rast po shënohej edhe 100 vjetori i shpalljes së pavarësisë së shtetit shqiptar.

Haliti nuk ka harruar të falënderojë edhe shtetin e Zvicrës për mbështetjen që i ka dhënë dhe po i jep shtetit të ri të Kosovës.

Manifestimin e ka përshëndetur kryetarja e shoqatës së re “Glattalp”, Sebeate Zylfiji, ndërsa programin e kanë drejtuar në vazhdim përfaqësuesja e shoqatës së përmendur, Edona Ibrahimi dhe ai i këshillit të prindërve, Muhamet Arifi.

Në vazhdim të kësaj fjale, ansambli “Vatra” ka ardhur në skenë me “Vallen e pavarësisë”, e cila është bërë një shenjë identifikimi për këtë ansambël të vyeshëm. Kjo shfaqje skenike me elemente baleti, me forcën e saj shprehëse vazhdon të emocionojë të gjithë ata që e shikojnë, duke përcjellë gjithandej porositë e 17 Shkurtit historik.

“Vatra” është paraqitur edhe me disa valle tjera, mes tjerash edhe me vallëzuesit e vegjël, të cilët kanë impresionuar publikun me sharmin dhe përkushtimin e tyre.

Koreografi e valltari Arsim Berisha, valltarja veterane Fatmire Kajtazi dhe udhëheqësi i ansamblit, Nexhmedin Isufi edhe kësaj fradhe kishin bërë një punë me përkushtim.

Një numër i madh nxënësish të shkollës shqipe në vazhdim janë paraqitur me recitime e këngë, veç e veç ose tok, duke i shtuar edhe më tepër hijeshinë mbrëmjes.

Foto galeri